Në shkollën ku nisi rrugëtimi i tij, Rektori Edmond Hajrizi merr pjesë në jubileun 100-vjeçar
15/06/2026Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në manifestimin solemn të organizuar me rastin e 100-vjetorit të themelimit të SHFMU “Emin Duraku” në Banullë, një institucion që për një shekull ka qenë vatër e dijes, edukimit dhe formimit të gjeneratave të tëra.
Për Rektorin Hajrizi, kjo ngjarje kishte një domethënie të veçantë dhe thellësisht emocionale. Pikërisht në bankat e kësaj shkolle ai hodhi hapat e parë të arsimit dhe ndërtoi themelet e rrugëtimit të tij akademik e profesional. Rikthimi në shkollën ku nisi ëndrra e tij për dijen ishte një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për institucionin që formësoi vitet e para të jetës së tij.
Kjo lidhje me SHFMU “Emin Duraku” bëhet edhe më e veçantë përmes kontributit të familjes Hajrizi në arsimin shqip. Babai i Rektorit, veterani i arsimit Bislim Hajrizi, ka një histori të veçantë me këtë institucion, pasi fillimisht ishte nxënës i kësaj shkolle, ndërsa më vonë u kthye në të si mësimdhënës, duke ia kushtuar dekada të tëra edukimit dhe formimit të brezave të rinj. Si mësues i gjuhës shqipe, ai ishte ndër figurat që kontribuuan me përkushtim të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe, veçanërisht në periudha sfiduese për arsimin në vend.
Për vite me radhë, ai shërbeu jo vetëm si mësues, por edhe si udhëheqës dhe mbështetës i zhvillimit të shkollës, duke ndihmuar në forcimin e rolit të saj si një nga institucionet më të rëndësishme arsimore të zonës. Trashëgimia e tij vazhdon të jetojë përmes qindra nxënësve që ai edukoi dhe përmes vlerave që përcolli te brezat e rinj.
Manifestimi mblodhi përfaqësues institucionalë, drejtues të arsimit, mësimdhënës, ish-nxënës, prindër dhe qytetarë të shumtë, të cilët nderuan historinë njëqindvjeçare të shkollës dhe kontributin e saj të çmuar në zhvillimin e arsimit në Komunën e Lipjanit.
Gjatë ceremonisë u vlerësua roli i SHFMU “Emin Duraku” si një shtyllë e rëndësishme e arsimit ndër dekada, ndërsa u kujtuan me respekt edhe mësimdhënësit që, me përkushtimin e tyre, mbajtën gjallë frymën e dijes dhe edukuan breza të tërë, duke ndërtuar themelet e së ardhmes së komunitetit dhe vendit.

