Në Kosovë po mbahet mbledhja e Asamblesë të Përgjithshme të Organizatës për Cilësi në Evropë

14/06/2019

Për herë të parë në Kosovë po mbahet mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës për Cilësi në Evropë, ku nikoqir i saj është organizata “Quality Kosova”, nën udhëheqjen e presidentit, prof.dr. Edmond Hajrizi.

 

Takimi i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës për Cilësi në Evropë mblodhi sot në Prishtinë përfaqësues nga të gjitha vendet e Evropës, të cilët përfaqësojnë organizatat e tyre nacionale për menaxhimin e cilësisë, standardeve dhe certifikimeve, profesionistë dhe ekspertë të dalluar nga industri të ndryshme me renome botërore.

 

Në takim, ndër tjerash, është diskutuar për mbështetjen dhe angazhimin shoqëror që duhet dhënë arsimit të lartë, njëherësh pjesëmarrësit kanë shkëmbyer përvojat e tyre për sigurimin e cilësisë. Gjithashtu, në takim u tha se duhet nxitur studentët dhe profesorët për të punuar në hulumtime shkencore, inovacion, si dhe u theksua se duhet të përgatiten gjeneratat për karrierë dhe të kenë rol aktiv në shoqëri.

 

Pas mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës për Cilësi në Evropë, përfaqësuesit e vendeve evropiane kanë vizituar Kampusin Inovativ të UBT-së në Lipjan. Ata janë mahnitur me UBT-në me gamën e gjerë të programeve dhe infrastrukturën që ofron, teksa thanë se UBT ka arritje të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare, arritje në hulumtime, inovacion dhe mësimdhënie.

 

Ata vlerësuan se UBT duhet të jetë model për gjitha institucionet arsimore në vend dhe Evropë, për qasjen akademike dhe mundësitë që u jep studentëve në veprimtarinë intelektuale. “Quality Kosova”, u themelua në vitin 2006, me iniciativë të rektorit të UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, ku është anëtare e Organizatës Evropiane për Cilësi, dhe bashkërisht promovojnë standardet më të mira të cilësisë dhe aspekteve me rëndësi të jetës në Evropë dhe më gjerë.