Në Ditën e Tokës bëhet thirrje për kujdes ndaj mjedisit

22/04/2020

Me rastin e shënimit të  Ditës së Tokës, në vazhdën e mbajtjes së konferencave online përmes të cilave po debatohet për tema shumë aktuale, në Televizionin “UBT” dhe në Radio “Campus”, me frekuencë 100.7FM, është mbajtur video-konferenca me temë: “A do të ndryshoj qasja ndaj mjedisit jetësor pas pandemisë”.

 

Përhapja e virusit COVIC-19, si në çdo sferë ka ndikuar edhe në mjedisin jetësor. Si rrjedhojë e kësaj në kuadër të konferencës u diskutua për mjedisin jetësor pas pandemisë, planifikimin dhe legjislacionin urban, mbrojtjen e ajrit, mbrojtjen e ujit si dhe për zingjirin e prodhueshmërisë së tokës për ushqim.

 

Hapjen e konferencës e bëri rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, i cili potencoi se kërkohet çasje inovative që trendi i shfrytëzimit të resurseve natyrore të rikthehet në një formë më të qëndrueshme për ti shfrytëzuar.

 

“Stilistikisht konsiderohet që ne kemi pjellshmëri të ulët të tokës ku nuk gjenerohen produkte ushqimore të cilat janë të dobishme për njerëzimin. Ndotja e ambientit dhe ndikimi në sëmundje, në kualitetin e jetës, në rrezikun e përgjithshëm të planetit, mungesa e ujit të pijshëm  paraqiten në formë të një sistemi me të cilin po përballemi dhe ne kemi përgjegjësi sociale që potencialin tonë intelektual, informacionet dhe përvojën tonë ta shpërndajmë tek publiku i gjerë.”, shtoi Hajrizi.

 

Profesori Nexhat Balaj duke folur për rolin e legjislacionit urban dhe rolin e pasazheve në përgjithësi në funksion të mbrojtjes së mjedisit theksoi se bimët dhe drunjtë dekorativ janë ata të cilët e thithin dioksidin e karbonit, prodhojnë oksigjen dhe ndikojnë në uljen ndryshimeve klimatike.

 

“Sipas organizatës botërore të shëndetit publik kriteri minimal i hapësirave të gjelbëruara në qendra urbane është 9 metra katror për kokë banori. Legjislacioni urban sot në literaturën bashkëkohore njihet si bilanc ekologjik”, shtoi ai.

 

“Pyjet në Republikën e Kosovës përbëjnë 47% të territorit tonë dhe aktualisht në të rriten rreth 1800 specje bimore, mirëpo Kosova njihet si vend me normë më të ulët me hapësirat e gjelbëruar për kokë banori. Ne si UBT, me studentët tonë kemi hartuar projekte të ndryshme për të fuqizuar rritjen e këtyre hapësirave  dhe po krijojmë zgjidhje urbane ekologjike për vendin tonë”, potencoi Balaj.

Sipas profesorit Sami Makolli, rritja e përgjegjësive individuale është çelësi për të ecur përpara dhe për ta kthyer njeriun në një ekuilibër me natyrën.

“Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane të Mjedisit ka ulje të madhe në përqindjen e ndotjes së ajrit gjë e cila shfaqet për shkak të zvogëlimit të ngarkesës të trafikut. Ne kemi bërë një fitore mjedisore në kohën e pandemisë dhe sipas meje janë tri aspekte që edhe pas pandemisë ta rregullojmë edhe më shumë këtë dukuri, prandaj së pari ndryshimi i sjelljes , së dyti investimi në energji të ripërtritshme dhe së treti marrëdhënia me botën shtazore”, konsistoi Makolli.

Tutje, profesoresha Violeta Lajçi duke folur për bilancin mes natyrës dhe jetës së njeriu theksoi se Dita e Tokës ka ardhur si rezultat i një proteste paqësore nga 10% e popullsisë amerikane ndaj një ndotje tragjike në brigjet e Kalifornisë, ditë e cila sot u bë një apel kundër braktisjes së tokës dhe ndotjes të saj për të cilën janë krijuar edhe legjislacione.

“Në Kosovë kemi një legjislacion shumë të mirë i cili njëkohësisht është i harmonizuar me legjislacionin e BE-së, mirëpo problemi kryesor qëndron në mos zbatimin e saj”, bëri të ditur Lajçi.

Ndërkaq, profesori Hazir Çadraku, konsistoi se rezulton qartë që toka së bashkë me komponentët e saj ajrin dhe ujin është në tej shfrytëzim dhe në një trysni  të vazhdueshëm.

“Kjo situatë na bëri të kuptojmë që jemi në gjendje t’i ruajmë më shumë resurset ujore që i posedojmë  dhe vlerën e ujit si kompontet kryesor për mbajtjen e higjienës dhe akter për mbrojtje ndaj sëmundjeve apo viruseve të ndryshme”, shtoi ai.

Duke folur rreth zingjirit të prodhueshmërisë së ushqimit dhe pjellshmërinë e tokës profesori Ismet Babaj, bëri të ditur që fatkeqësisht faktori njeri është elementi shkatërrues i mbështjellësit të dheut të tokës.

“Aplikimi i teknologjive të kultivimit jo adekuate ka bërë që deri më tani në botë të degradohen rreth 800 milionë hektar tokë pune ku kemi bërë krim duke mos aplikuar vlera, kohë dhe sasi, ujitje jo adekuate. Po ashtu nuk është në harmoni prodhimi dhe deponimi i produkteve ushqimore ku si pasojë kemi problem të mëdha edhe në importimin e tyre”, tha Babaj.

Sipas Babaj, Kosova ka toka me veti shumë të lartë dhe janë pjellore mirëpo kërkojnë momentin adekuat për tu punuar dhe kultivuar. Ai potencoi se të gjitha plehrat, farat më bashkëkohore dhe elementet tjera të domosdoshme i kemi, vetëm duhet një bashkërenditje në zingjirin e këtyre vlerave.

Detajet e konferencës i gjeni në linlkun: https://www.youtube.com/watch?v=FF2h140WygU