Në ANV-në e Turizmit të Qëndrueshëm prezantohet projekti i investimeve ndërkufitare Kosovë – Shqipëri

19/07/2018

Në kuadër të Akademisë Ndërkombëtare Verore të Turizmit të Qëndrueshëm, ka ligjëruar sot Gramen Taraku, menaxher i projektit “VIP Dinarica”, projekti i cili është financuar nga Bashkimi Evropian dhe ka të bëjë me zhvillimin dhe shtimin e aktiviteteve ekonomike ndërkufitare Kosovë – Shqipëri.
Ai ka thënë se projekti ka modele unike të turizmit të qëndrueshëm bazuar në vlera natyrore, tradicionale dhe kulturore, duke nxjerrë në pah karakteristikat e përbashkëta të rajonit.

Taraku tregoi më konkretisht, se projekti do të ndërtojë dy shtigje të reja ecjeje dhe biçikletash në distanca të gjata që do të lidhin Kosovën, Bjeshkët e Nemuna, komunën e Gjakovës, Deçanit, Junikut dhe Pejës, si dhe Shqipërinë, përfshirë bashkinë e Qarkut të Kukësit e Qarkut të Lezhës.

Ligjërues në ANV-në e Turizmit ishte edhe Skënder Thaqi drejtor ekzekutiv i “Austria – Albania Parrtnerschaft Mariane Graft”, ku ka ndarë përvojat e tij profesionale në këtë fushë.

Po ashtu, Besart Dreshaj, përfaqësues i kompanisë turistike “Air Prishtina”, në ligjëratën e tij ka prezantuar mënyrat se si turistët mund të bëjnë rezervime, përfshirë edhe ato online. Ai njëherësh ka prezantuar edhe udhëzimet turistike dhe strategjitë e agjencive për turizëm.

ANV-ja e Turizmit do të vijojë punimet edhe nesër, me fillim nga ora 08:00, me ç ’rast pjesëmarrësit do të vizitojnë Hotel Dukagjini dhe Hotel Magra, si dhe burimin e Drinit të Bardhë në Radavc të Pejës.