Në ANV-në e Edukimit ligjërohet për mësimin e kombinuar, mendimin kritik, vlerësimin e studentëve dhe arsimin gjithëpërfshirës

24/07/2018

Akademia Ndërkombëtare Verore e Edukimit ka mbyllur aktivitetin e saj një ditor, pas një cikli të ligjëratave ku janë trajtuar tema shumë të rëndësishme në fushën e edukimit.

Aktiviteti i kësaj akademie nisi me ligjëratën e rektorit të UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, i cili trajtoi temën më titull: “Mësimi i kombinuar; mësimi tradicional dhe përmes teknologjisë”, me ç’rast foli rreth kombinimit të teknologjisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie në institucionet shkollore, përfshirë edhe ato të nivelit universitar.

Rektori Hajrizi tha se për të pasur edukim modern duhet të sjellën praktikat më të reja ndërkombëtare, ku sipas tij, profesorët duhet të përdorin metodologji dhe teknika për të arritur objektivat mësimore dhe synimet e shoqërisë.

Akademia e Edukimit punimet i vazhdoi me ligjëratën e drejtoreshës së departamentit të arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Drita Kadriu, e cila ligjëroi temën më titull: “Mendimi kritik dhe lidershipi”.

Kadriu tha se mendimi kritik u mundëson liderëve në çdo nivel që të kuptojnë ndikimin e vendimeve të tyre në punës, si tërësi, dhe siguron përafrimin e qëllimit të organizatës dhe llogaridhënien në rezultate.

Tutje, në kuadër të ANV-së së Edukimit ka ligjëruar edhe profesoresha e Universitetit të Evropës Juglindore, Teuta Salii, ku prezantoi temën: “Arsimi gjithëpërfshirës”.

Ajo ka përmendur strategjitë mësimdhënies për arsimin gjithëpërfshirës dhe problemet me të cilat ballafaqohen nxënësit, ku tha se ato janë pasiguria, mungesa e të shprehurit, qasja negative etj.

Në fund ka ligjëruar edhe ekspertja e arsimit të lartë në Kosovë, Gjylbehare Llapi, ku prezantoi temën me titull: “Vlerësimi i studentëve në kohërat digjitale dhe motivimi i studentëve”.

Llapi vlerësoi se teknologjia në fushën e edukimit ofron mundësi të larmishme dhe autenticitet në dizajnimin e vlerësimeve, përmison angazhimin e studentëve, përfshirje e shumë shkathtësive dhe atributeve që vështirë, sipas saj, vlerësohen në mënyrë tjera etj.

Kjo ligjëratë shënoi edhe përmbylljen e punimeve të ANV-së së Edukimit, që në UBT organizohet për herë të parë në kuadër të edicionit të shtatë të Akademisë Ndërkombëtare Verore.