Në akademinë e Fakultetit të Mekatronikës, në kuadër të “Global UBT FEST 2020” u diskutuan temat inovative për këtë fushë

16/07/2020

Në vazhdën e aktiviteteve të Fakultetit të Mekatronikës, në kuadër të së cilave po diskutohen shumë tema aktuale dhe me interes për pjesëmarrësit, kësaj radhe u trajtua tema: “Sensorët në Agrikulturë” si dhe tema me titull: “Materialet në Industrinë Dentare”.

 

Gjatë këtij cikli ligjëratash, ligjëroi profesori në Sampienza University of Rome në Itali, Kliton Bylykbashi, i cili trajtoi temën: “Sensorët në Agrikulturë”. Në kuadër të kësaj teme u diskutuan mundësitë e ngritjes së përformancës në agrikulturë duke implementuar sensorë të ndryshëm. Po ashtu profesori Bylykbashi trajtoi edhe precizitetin në agrikulturë dhe si ndikon në efiqiencë të bërit punën e duhur në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Temë diskutimi ishte edhe Smart Farming, ku prezantuan dhe u analizuan sensorë të ndryshëm që implementohen në këto sisteme.

 

Ndërkaq, në pjesën e dytë profesori në UBT Betim Shabani, ka folur për temën: “Materialet në Industrinë Dentare”. Profesori Shabani për pjesëmarrësit analizoi detaisht materialet që janë në trend të përdorimit, u treguan specifikat mekanike dhe po ashtu u prezantuan format dhe metodat e prodhimit me teknologjinë AM (Additive Manufacturing), e njohur ndryshe si 3D printing technology.

 

“Global UBT FEST 2020”, po bashkon një gamë të gjerë profesionistësh nga i gjithë globi, fal profesionalizmit të UBT-së dhe organizimit të mirëfilltë që Kolegji UBT e ka shndërruar në traditë.