Ndahet nga jeta profesori i UBT-së, Ganimet Klaiqi

15/05/2017

Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se sot ka ndërruar jetë profesori, koordinatori i Zyrës së Mediave në UBT dhe gazetari, Ganimet Klaiqi, pas përballjes me një sëmundje të rëndë, e cila e ndau nga institucioni ku punoi për disa vjet dhe nga profesioni i profesorit të gazetarisë, punë të cilën e bënte më shumë dashuri dhe përkushtim.

 

Varrimi i të ndjerit do të bëhet në ora 17:00, në varrezat e fshatit, në Hajvali.

 

Ai lindi më 26 janar 1965, në Poliçkë të Kamenicës. 
Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, të mesmen në Dardanë, fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë, si dhe studimet e nivelit master i ka mbaruar në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Klaiqi gjatë vitit shkollor 1993/1994, ka punuar si arsimtar i Gjuhës dhe letërsisë shqipe, në shkollën fillore “Abdullah Krashnica”, në Preshevë. 
Më 1997 kishte nisur punën si korrespondent në të përditshmen “Koha Ditore”.
Pas përfundimit të luftës, në institucionet e përkohshme ka punuar një vit si shef i Zyrës së Informacionit në Kamenicë. Gjatë kësaj kohe është marrë me shkrime të ndryshme, në prozë e poezi. Në vitin 2000 i është rikthyer gazetarisë ku ka vazhduar deri më 2015, ku në të njëjtën kohë filloi ligjërimin edhe në UBT, për të vazhduar këtë punë deri në ditët e fundit të jetës së tij.

 

Disa orë para se të vdiste, ai la një porosi për institucionet, gazetarët dhe studentët e tij:
“Të nderuar miq,profesorë, gazetarë, familjarët e mi të dashur,vëllezër e motra,që më rrini pranë në këto ditë të vështira për shërimin tim. Lajmet nga shoqnia po vinë si bombë e kurdisur, pa rrugëdalje,për shkak të mendësisë del të jetë primitive, sepse sulmet ndaj mendimit të lirë janë sulme ndaj vetë historisë njerëzore. Edhe në organizimet më të vjetra lirija e shprehjes ishte dhe mbeti boshtë i demokracise. Mos i sulmoni gazetarët per bindjen e lirë, ata mund të jenë shtyllat që i japin hov luftës kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar! Janë tanët dhe ashtu i duam!!”.

 

Ngushëllime familjarëve, studentëve dhe kolegëve të të ndjerit!