Ndahet nga jeta profesoresha e UBT-së, dr. Feride Lohaj

20/10/2021

Pas një sëmundje të rëndë, është ndarë nga jeta profesoresha e gjuhës angleze në UBT, dr. Feride Lohaj, njëra prej ligjëruesve që ka dhënë kontribut të madh në zhvillimin e arsimit të lartë në vend dhe përcjelljen e shumë gjeneratave të suksesshme në Kosovë.

 

Rektori Hajrizi ka ngushëlluar familjen Lohaj, duke thënë se shkuarja në amshim e profesoreshës dr. Feride Lohaj, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen por edhe për institucionin, studentët dhe gjithë komunitetin e arsimit në Kosovë.

 

Profesoresha Lohaj ishte një model i profesionalizmit, angazhimit dhe afërsisë me studentët, si dhe një shembull i përkushtimit të një ligjëruese të shquar në vendin tonë.

 

Profesoresha e UBT-së, dr. Feride Lohaj, u lind më 6 dhjetor 1964. Shkollën e mesme e kreu në Smederevë, fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Prishtinë, studimet e nivelit master në Universitetin UEJL (SEEU)  të Tetovës, si dhe doktoraturën e ka përfunduar në Universitetin Evropian Juglindor (SEEU) në Tetovë, duke fituar titullin “Doktor i Shkencës Filologjike”.