Në vitin e ri akademik, UBT me tre drejtime të reja e shumë atraktive

27/04/2017

Mjekësia e përgjithshme, Stomatologjia dhe Farmacia do të jenë drejtimet e reja me të cilat UBT-ja do të fillojë vitin e ri akademik. Kështu ka bërë të ditur Sekretari i UBT-së, Artan Tahiri, gjatë një interviste në emisionin Agora, në Radio Kampus, sipas të cilit tashmë ka sinjale pozitive nga Agjencia e Akreditimit në Kosovë, në lidhje me akreditimin e drejtimeve në fjalë.

 

Tahiri ka thënë se UBT ka plotësuar gjitha kushtet si me staf akademik ashtu edhe me infrastrukturë, duke shtuar se ky institucion i arsimit të lartë ka potenciale profesionale për të filluar me këto programe të reja.

 

“Aplikacioni ka kaluar në këshillin e Agjencisë së Akreditimit dhe fatmirësisht aplikacioni i vetëm që është pranuar është i UBT-së. Këto drejtime janë aprovuar nga ana e Agjencisë në parim si aplikacione. Këto do të jenë sferat e reja që ne jemi të bindur që do të akreditohen së shpejti dhe vitin aeri akademik do ta fillojmë me këto programe të reja”, ka thënë Tahiri.

 

Tutje Tahiri ka shtuar se UBT çdo vit tenton t’i mbulojë sferat që janë me interes për shoqërinë në përgjithësi. Për më tepër ai tha se institucioni është i interesuar që të krijojë hapësirë në mënyrë që studentët pas përfundimit të studimeve të sistemohen më lehtë në tregun e punës.

 

“Në kampusion inovativ të UBT-së kemi sjellë të gjitha aparaturat dhe mjetet e nevojshme për studentët, në mënyrë që ata të implementojnë projekte në profesionin e tyre. Po ashtu, kemi sjellë edhe profesorë e ekspert ndërkombëtarë, si një nevojë e domosdoshme”, tha Tahiri.

 

Vitin e kaluar akademik UBT e ka filluar me disa programe të reja si Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji, Dizajn i Integruar, Infermieri dhe nivelin master Media dhe Komunikim, që janë të akredituara nga Agjencia e Akreditimit e Kosovës.