Në UBT u promovua libri “Marketingu”, i autorit Dr.Nehat Ramadani

18/03/2015

Prishtinë, 18 mars. – Në UBT u promovua sot libri ‘’Marketingu’’, i autorit Dr.Nehat Ramadani, i cili është profesor në UBT.  

Libri, që vjen në vazhdën e librave të profesorëve të botuar nga UBT, është vlerësuar lart nga rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi, i cili tha se ai paraqet një përgjigje sfidave që paraqet mungesa e librave profesionalë në gjuhën shqipe.

“Ky libër vjen në vazhdën e botimeve që do t’i ndihmojë studentët për studime akademike. Po ashtu ky libër u përgjigjet sfidave të mungesës së literaturës. Është ndryshe nga gjithë librat e tjerë. Është një përmbajtje e re. Është një qasje e re”, tha rektori Hajrizi.

 

Rektori Hajrizi theksoi se me botimin e këtij libri dhe librave të tjerë, që janë në plan, po zgjerohet edhe më tej veprimtaria e shtëpisë botuese të UBT-së, në kuadër të së cilës do të publikohen edhe libra të tjerë me rëndësi.

Autori i librit, dr. Nehat Ramadani, fillimisht falënderoi UBT-në për mbështetjen e dhënë. Ai tha se ky libër i dedikohet kryesisht stdentëve të biznesit, ekonomisë, po edhe drejtimve të tjera, sikue edhe përfaqësuesve të biznesit, të cilët duhet të ndryshojnë qasjen ndaj marketingut.

“Ky libër paraqet përparësi për studentët dhe sigurisht edhe për bizneset, sepse në të përfshihen përvojat e më shumë se 100 kompanive  botërore, rajonale e vendore”, u shpreh dr.Ramadani.

 

Duke folur për temën që shtjellon libri, ai theksoi se zhvillimi i teknologjisë e ka ndryshuar në masë të madhe edhe marketingun, një fushë në të cilën kompanitë duhet t’i kuptojnë sfdiat globale

 

Ndërsa dekani i Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT, Ylber Limani, tha se bashkëpunimi i UBT-së me profesorët është i nevojshëm, në mënyrë që të kemi libra të cilësisë së lartë.  Ai e vlerësoi shumë pozitivisht punën e profesor Ramadanit, duke theksuar se libri i tij është një ndihmesë e madhe për studentët dhe një kontribut shumë i madh për literaturën në përgjithësi në fushën e marketingut.

Të pranishëm në promovimin e këtij libri ishin edhe studentë të UBT-së. Në debatin me  autorin, ata thanë se një libër i kësaj natyre ka qenë i nevojshëm për faktin se është në gjuhën shqipe dhe ofron shumë të dhëna për studentët, sidomos shembujt e kompanivbe të mëdha, që janë me shumë interes.

Libri “Marketingu”, i autorit Dr.Nehat Ramadani, ka gjithsej 335 faqe dhe është i organizuar në 11 kapituj. Ai është botuar nga UBT.