Në UBT u prezantua propozimi për strukturën tarifore të energjisë

29/03/2017

Në UBT u bë prezantimi i propozimit për strukturën e re tarifore të energjisë, e cila do të dërgohet për procedim në Kuvendin e Kosovës, në fillim të majit prill.


Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi vlerësoi se tema e energjisë është një çështje aktuale edhe në botë, prandaj sipas tij, është shumë me rëndësi të njihen vendimet dhe modelet e fundit të tarifave dhe të procesit të rregullimit të energjisë.


“Rregullimi i energjisë është një sistem kompleks dhe shumë i rëndësishëm, prandaj edhe çështjet që lidhen me të, duhet të analizohen nga një këndvështrim kompleks, duke e marrë për bazë gjendjen ekonomike, sociale, ambientale dhe teknologjike”, tha ai.


Sipas rektorit Hajrizi, “UBT është një forum që ndikon në ngritjen e kompetencave, përmes debateve akademike e profesionale, si dhe përmes bashkëpunimit me palët e interesit”.


 Ligjëruesja në UBT, Pranvera Dobruna-Kryeziu tha se Zyra e Rregullatorit të Energjisë është një adresë për përcaktimin e tarifave, që ndikon në mbrojtjen e të gjitha palëve të përfshira, prandaj është edhe rregullator ekonomik.


“ZRrE është rregullator ekonomik sepse përmes licencave dhe tarifave, e bënë rregullimin e atij që prodhon energji, atij që e transmeton, si dhe konsumatorit, që e shfrytëzon atë”, tha Dobruna-Kryeziu, teksa shtoi se, “është punë e vështirë që të dëgjohen të gjithë dhe të përcaktohet një tarifë, e cila është e pëlqyeshme për të gjithë”.


Ud i kryesuesit të Rregullatorit të Energjisë, Krenar Bujupi, duke treguar për rolin dhe funksionin e ZRrE-së, theksoi se rregullatori merr vendime, që nuk i përshtaten politikës ditore, por i përgjigjen qytetarëve.


“Vendimet tona nuk i përshtaten politikave ditore, por të atilla që i prekin drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës, kjo sepse, çdo vendim që ne e marrim prek në xhepin e konsumatorëve”, tha Bujupi, teksa pohoi se, “qytetarët janë të vetmit që kanë të drejtë të ankohen dhe të kërkojnë llogari”.


Duke folur për tarifat aktuale të energjisë në Kosovë, Bujupi tha se nuk përbën lajm të mirë fakti që Kosova ka tarifa të ulëta të energjisë.


“Vlera e tarifave të energjisë përcaktohet nga niveli i shërbimeve që ofrohen për qytetarët, prandaj nuk është lajm i mirë nëse tarifat tona janë më të ulëta se në vendet e tjera”, tha ai, teksa shtoi se zgjidhja e këtij problemi është tek zhvillimi ekonomik i vendit.


“Sa më shpejt të zhvillohemi ekonomikisht, në mënyrë që t’i përballojmë tarifat e larta në lehtë, aq më tepër do të rritet niveli i shërbimeve të ofruara.


 Tutje, Bujupi tha se prej prillit do të liberalizohet tregu dhe qytetarët do të jenë të lirë të zgjedhin furnizuesin që ofron tarifat më të pranueshme për ta.


“Ne u propozojmë tarifa të energjisë qytetarëve dhe bizneseve, në mënyrë që ata të gjejnë tarifa më të lira për ta”.

Duke treguar për gjendjen e tarifave të energjisë në Kosovë, udhëheqësi për tarifa dhe çmime në ZRrE, Ymer Fejzullahu tha se kompetenca e ZRrE-së është që të bëjë propozimin e strukturës tarifore për konsumatorët shtëpiakë, si dhe për disa nga bizneset.


“Për të funksionuar si duhet, është i nevojshëm plotësimi i kriterit të përcaktuar nga Komisioni Evropian, në bazë të të cilit, ne jemi të obliguar të rregullojmë çmimin e gjenerimit dhe furnizimit me pakicë”, theksoi Fejzullahu, teksa tregoi se tarifa përcaktohet në varësi të nivelit të shfrytëzuesve.


“Feronikeli, Trepça dhe Sharrcem, si konsumatorë industrialë kanë tarifë më të ulët, sepse edhe koston e shërbimit e kanë më të ulët, pastaj në këtë rrjedhë përcaktohen tarifat edhe për konsumatorët komercialë, konsumatorët familjarë dhe ndriçimin publik”, shpjegoi ai.


 Në fund të këtij prezantimi, studentët dhe të interesuarit e tjerë shtruan pyetjet dhe sugjerimet e tyre, që kryesisht kishin të bënin me mënyrën e funksionimit dhe të kryerjes së punëve, në kuadër të ZRrE-së.