Në UBT u mbajt konferenca “Sundimi i Ligjit në dritën e Raportit të Progresit 2015”

04/12/2015

Organizuara nga UBT dhe Shoqata Austriako-Kosovare, në kampusin inovativ të UBT-së i zhvilloi punimet konferenca “Sundimi i Ligjit në dritën e Raportit të Progresit 2015”, e cila mblodhi numër të konsiderueshëm të pjesëmarrësve nga fusha e praktikës gjyqësore, jetës politike dhe shoqërisë civile.

Konferenca u hap nga dekani i Fakultetit Juridik, Dr. Ardian Emini, i cili falënderoi të pranishmit për bashkëpunimin dhe i siguroi për përpjekjet e stafit të UBT-së për përgatitje superiore të studentëve të drejtësisë, me qëllim që ata të shërbejnë në fushën e drejtësisë.


Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës, Enver Peci theksoi gjatë diskutimit të tij një varg sfidash me të cilat përballet gjyqësori në vendin tonë, duke nënvizuar si një nga sfidat më të dukshme numrin e vogël të gjyqtarëve në gjykatat e rregullta.

Ai gjithashtu theksoi përkushtimin e Këshillit Gjyqësor për përmirësimin e imazhit të gjyqësorit në Republikën e Kosovës.


Ndërsa, avokati i popullit, Hilmi Jashari paraqiti aspekte të punës së institucionit që ai drejton dhe që ndërlidhen në masë të madhe me drejtësinë.

Z. Jashari gjithashtu theksoi se studentët duhet të fitojnë përgatitje të mirëfilltë akademike, me qëllim të përmirësimit të ambientit juridik për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ilir Deda, deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, ndër të tjera, inkurajoi studentët për aktivizëm politik e social, me qëllim të krijimit të një mjedisi të barabartë për të gjithë.


Në anën tjetër, Vjosa Osmani, po ashtu deputete e Parlamentit të Republikës së Kosovës,  foli para studentëve për rëndësinë e shtetit ligjor dhe mekanizmat proceduralë e kontrollues të Parlamentit karshi Qeverisë edhe vet Gjyqësorit.

Dafina Buqaj, këshilltare e lartë e Ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, foli për punën e Ministrisë së Drejtësisë në çështjet e organizimit të sistemit prokurorial dhe gjyqësor, si dhe rolin aktiv të Ministrisë në përmirësimin e legjislacionit ekzistues si dhe sponzorizimin e ligjeve të reja me qëllim të përmbushjes së standardeve evropiane.

 

Ndërsa avokati Taulant Hodaj paraqiti para të pranishmëve shpjegime nga fusha e praktikës gjyqësore dhe theksoi rëndësinë e përmirësimit të procedurave gjyqësore në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.