Në UBT u mbajt Konferenca me temën “BE dhe Kosova: Sfidat e tashmja dhe e ardhmja

04/12/2009

 

Në  UBT u mbajt Konferenca me temën “BE dhe Kosova: Sfidat e tashmja dhe e ardhmja”
 
Kosova e ka adresën të integrimi në Bashkimin Evropian

1 dhjetor 2009. – Ambasadorë të vendeve evropiane të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të institucioneve të Republikës së  Kosovës, profesorë dhe studentë kanë zhvilluar sot një debat në UBT në temën e integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në institucionet e tjera evropiane dhe ndërkombëtare.

Dr. Henk Voskamp, ambasador i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, z Eckart Blaurock, zëvendësambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, z.Khaldoun Sinno nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, Edon Cana përfaqësues nga Qeveria e Republikës së Kosovës, shef i Agjencisë për Koordinimin e Zhvillimit dhe Integrimit Evropian ishin vetëm disa nga përfaqësuesit e rëndësishëm ndërkombëtarë që morën pjesë në debatin e organizuar në UBT në temën “BE dhe Kosova: Sfidat e tashmja dhe e ardhmja”.
Prof. dr. Edmond Hajrizi, president i UBT-së, në hapje të konferencës,  tha se diskutimet do të fokusohen në gjendjen aktuale në të cilën ndodhet vendi ynë dhe në trajtimin e rrugës së integrimeve në Bashkimin Evropian.

Gjatë fjalës të tij Henk Voskamp, ambasador i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, fillimisht iu drejtua studentëve me dëshirën për të ditur opinionin e tyre rreth integrimit të Kosovës në BE.
“Sot Kosova e ka adresën se si të integrohet në Bashkimin Evropian. Ne sot shohim procese të vazhdueshme të demokratizimit si dhe të arriturave të ndryshme teknologjike që janë bërë pjesë e botës dhe vendeve që aktualisht janë të integruara në BE”, ka theksuar ambasadori Voskamp, duke përmendur vlerat që kanë vendet e Bashkimit Evropian.

Ai ka shtuar se Kosova para se të integrohet në Bashkimin Evropian duhet t’i arrijë shumë kritere, një nga të cilat sipas tij është përmirësimi i të drejtave të njeriut, ngase sipas tij ky është njëri nga faktorët më me rëndësi për integrim në Bashkimin Evropian.
Ne emër të ambasadorit gjerman, Hans Ditrich Steinbach, fjale rasti mbajti z Eckart Blaurock. Ai tha fjalët më të mira për temën e zgjedhur për debat, duke e quajtur atë si një ngjarje që ndodh në një kohë të duhur.

Kjo bëhet edhe më e rëndësishme kur një iniciativë e tille vjen nga niveli akademik sikur qe është UBT-ja, tha ai.