Në UBT u inaugurua Qendra e Dijes, platformë për centralizimin e dijeve

26/10/2017

Në kampusin inovativ të UBT-së, në Lipjan, është inauguruar Qendra e Dijes, qendër kjo e cila  do të shërbejë si hapësirë multifunksionale, e përbërë nga sallat e veçanta për libra, hapësirën për studime për studentë dhe studiues të hulumtimeve, si dhe sallën e konferencave.

 

Hapja e kësaj qendre është përkrahur nga Ambasada Amerikane në Kosovë, si dhe USAID, teksa me këtë rast rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi ka thënë se kjo është platformë digjitale që i centralizon të gjitha njohuritë brenda institucionit në një sistem.

Tutje, rektori Hajrizi ka shtuar se hartimi i kësaj strategjie sjell shumë dobi për stafin akademik dhe studentët.

 

“I kemi regjistruar librat, kemi krijuar disa aplikacione për t’i përdorur dhe ndërlidhur me funksionin e Qendrës së dijes. Ne do të vazhdojmë që klasat t’i integrojmë në procesin e digjitalizimit. Është ideja që studentët të krijojnë dhe të dizajnojnë dhe në fund do të mund të kemi një platformë në të cilën do të mund të ndërlidhnim të gjitha kampuset e UBT-së në Kosovë”, ka thënë Hajrizi.

 

Në hapjen e kësaj qendre ka marrë pjesë edhe bibliotekarja në librarinë e Universitetit e Paqësorit, në San Francisko, Mary M. Somerville, e cila më këtë rast ka thënë se Qendra e Dijes, në UBT është përqendruar që të ndihmojë që njohuritë që fitohen në këtë institucion të kalojnë kufijtë jo vetëm nivelin rajonal, por edhe në atë ndërkombëtar.

 

“Ky proces është i dobishëm edhe në kuadër të digjitalizimit të shoqërisë. Qendra e Dijes, rëndësi të veçantë do të kushtojë grumbullimit të dijes, të dhëna të cilat do t’i vijnë në ndihmë gjitha shoqërisë”, theksoi Somerville.

 

Ndërkohë, profesori në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në UBT, Betim Gashi, duke folur për objektivin e përgjithshëm e këtij projekti, tha se qendra ka për qëllim rritjen e efikasitetit në menaxhimin e njohurive duke ofruar shërbime të ndryshme duke bashkëpunuar në një infrastrukturë.

 

“Sistemi do të lejojë studentët dhe profesorët të menaxhojnë dhe të gjejnë informacionin e duhur bazuar në atë që kërkojnë dhe çfarë ata janë të interesuar, duke marrë informacion nga burimet më të mira. Ideja është të standardizohet dhe të automatizohet mënyra se si për shembull studentët kërkojnë për një temë specifike”, ka thënë Gashi.

 

Biblioteka në UBT mëton të jetë më e madhja në vend dhe në rajon. Ajo ka mbi 250 mijë tituj. Sot, në kuadër të hapjes së Qendrës së Dijës, studentët dhe të pranishmit janë informuar edhe me mënyrën se si funksionon sistemi i librarisë dhe sisteme tjera, ku do të përfshihen tashmë në këtë qendër.