Në UBT përfundon punëtoria “On Job Training” me modelin “Learning-By-Doing”

29/09/2016

Të enjten pasdite, në UBT, ka përfunduar punëtoria “On job training”, organizuar nga Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë Efiçiente dhe Fakulteti i Arkitekturës, e cila ka zgjatur tri ditë.

 

Punëtoria kishte për qëllim t’i aftësojë studentët me rastet praktike me modelin “Learning-By-Doing”, nga fusha e planifikimit hapësinor, në kontekst të energjisë efiçiente. Ajo është udhëhequr nga prof. Jimmie Slijkhuis – menaxher i projektit dhe ligjërues në Van Hall Larenstein University of Professional Education, në Holandë, si dhe Margreet van Kuijk – profesoreshë në të njëjtin universitet.


Si rast studimi në këtë punëtori është marrë Kampusi Inovativ i UBT-së, në kuptimin e planifikimit hapësinor, duke e përfshirë energjinë efiçiente në kontekst të gjerë të qëndrueshmërisë.


Kontributin profesional në punëtori e kanë dhënë edhe Maros Finka – profesor në Department of Spatial Planning, Institute of Management of STU (Slovak University of Technology), si dhe Rineta Jashari e Sadije Kelmendi – staf akademik i UBT-së.