Në UBT nisi punimet aktiviteti “Ditët e Ndërmarrësisë”

10/02/2014

 Studentët e UBT-së të gatshëm për ide të reja për biznese

 

Prishtinë, 10 shkurt 2013- UBT në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha Fakultetet, stafin akademik dhe ekspertë të shumët,   ka organizuar aktivitetin e tij tradicional “Ditët e Ndërmarrësisë”, që është aktivitet unik  në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

 

Në kuadër të këtij aktiviteti, me punime të tyre janë paraqitur një numër i madh i studentëve UBT-së, që kanë  prezantuar  planet dhe idetë e tyre të biznesit. 

 

Komisioni i përbërë nga disa profesorë të lëndëve përkatëse të UBT-së,  dhe  mbikëqyrës të  punimeve, u shpreh i  entuziazmuar për rezultatet e studentëve dhe dhanë  përshtypje pozitive të biznes planeve. Ata ishin  pozitivisht të befasuar me cilësinë dhe përkushtimin e shfaqur nga ana e studenteve.  Komisioni në fjalë  tha se gjatë procesit të mentorimit,  kanë vënë re se studentet me kalimin e kohës janë lidhur me idetë e tyre biznesore dhe do të jenë në kërkim të mundësive financiare për hapjen e tyre.

 

Presidenti i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi,  tha se   ky aktivitet është pjesë e planit tradicional dhe strategjik të UBT-së, për t’i plotësuar studimet tona më bashkëkohore. Ai me tej shtoi se  objektiv i kësaj dite është që të promovohet sa më shumë ndërmarrësia, të shihet roli dhe rëndësia e saj, të vlerësohen idetë e studentëve, të arrihet një pjekuri e kompetencës së tyre në të bërit biznes. Ai shtoi se UBT  ka menduar që  studentëve, autorë të planeve biznesore të përzgjedhura t’iu ndihmojë për ta nisur një biznes të ri.

 

Ndërsa Armend Muja, profesor në UBT dhe vlerësues i këtyre punimeve të aktivitetit në fjalë,  tha  se rëndësia e biznes planeve konsiston në aspektin empirik të punës dhe studimit të studentëve.  “Biznes planet janë forma më e mirë e projektimit të ideve biznesore të studenteve përpara se të inkuadrohen në tregun e punës. Ne realitet lënda ka shërbyer edhe si lloj inkubatori biznesor meqë bartësit e lëndës kanë punuar  në disa faza me studentet – në procesin e selektimit dhe strukturimit të idesë biznesore, në analizën e tregut, në planin e marketingut,  planin operacional dhe financiar. Gjithashtu studentët patën rastin që të kenë ballafaqimin e parë me dimensionin praktik të studimit por edhe kanë përfituar edhe përmes ekspozimit në trendët dhe mjetet bashkëkohore të analizës së ambientit biznesor dhe faktorët rrethanor që ndikojnë avancimin e idesë së tyre biznesore.

 

Planet e biznesit të prezantuar i  takojnë disa fushave si agro-biznesit,  industria e përpunimit të ushqimit,  riciklimi dhe përpunimi i metaleve,  industria e shërbimeve dhe  ato të sferës se ICT-se.

 

Prezantimi i  punimeve është duke vazhduar dhe për rrjedhën e prezantimit dhe për përzgjedhjen do t’ju njoftojmë ditëve në vijim.