Në Kosovë mungon informacioni për ndryshimet klimatike

21/10/2015

Në kuadër të Javës së ndërgjegjësimit të publikut për ndryshimet klimatike, sot në UBT u organizua ligjërata e hapur në temën “Ndryshimet Klimatike”, e cila ishte e orientuar në çështjen e ndryshimeve klimatike dhe NISMËS Globale për ndryshimet klimatike, e cila ka kohë që është duke u zhvilluar.


Ligjërata u organizua në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Mjedisit – REC, Zyra në Kosovë.

Në këtë temë, mjaft të ndjeshme dhe me interes edhe për vendin tonë, para studentëve dhe të interesuarve të tjerë folën Agron Bektashi dhe Ermira Ajeti nga Qendra Rajonale e Mjedisit, si dhe Halil Berisha, menaxher i mjedisit në “Sharcem”.

Agron Bektashi, duke bërë një prezantim rreth ndryshimeve klimatike, theksoi se në ditët e sotme askush nuk mund të thotë se ndryshimi klimatik nuk është problem i imi, ose diçka tjetër, sepse ky është një problem i të gjithëve.

Ai tha më tej se “Week” është organizatë ndërkombëtare e themeluar në vitin 1990 nga SHBA dhe nga Bashkimi Evropian, që selinë kryesore e ka në Budapest, e cila merret me problemet mjedisore por jo vetëm me mjedis por edhe me çështje ekonomike sociale.


“Në  Kosovë punon në mënyrë të suksesshme tash e disa vite. Jemi partnerë me shumë universitete, me shoqëri civile dhe me gjithë ata që ia duan të mirën Kosovës. Sot është një kontribut modest i “Week-ut” një parahyrje e një konference të madhe botërore që do të mbahet në Paris”, theksoi ndër të tjera Bektashi, në hapje të ligjëratës së mundësuar nga Ambasada e Gjermanisë dhe Ambasada e Francës në Kosovë.

Ndërsa Emira Ajeti tha në vazhdim se kjo është seria e katërt e ligjëratave në universitete të ndryshme, qëllimi i të cilave është informimi dhe që sa më shumë të flasim për ndryshimet klimatike dhe pasojat që mund t’i kenë drejtpërdrejt në ekonominë e një vendi, konkretisht në Kosovë.


Ajo ftoi studentët që të bëhen vullnetarisht pjesë e punëtorive, ku do të bëhet një trajnim pesëditor, në të cilën do të ketë edhe punë praktike dhe prezantime, përmes të cilave do të tregohet realiteti i ndryshimit të klimës dhe se çfarë ne mund të bëjmë rreth saj.


Prioriteti kryesor i Kosovës është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik. Nuk mjafton vetëm zhvillimi ekonomik, por duhet të keni qëndrueshmëri afatgjatë, që është një problem i gjithë Ballkanit. Fatkeqësisht 30.2 për qind e popullsisë janë të papunë në Kosovë por sipas disa sondazheve dhe informacioneve të reja më shumë se 60 për qind nuk janë të informuar rreth ndryshimeve të klimës dhe se çfarë ka ndodhur në botë dhe cilat janë ato iniciativat globale për ndryshime klimatike. Andaj, mund të konkludojmë së bashku me këtë se Kosovës i mungon vetëdija e publikut dhe informacioni se si ndryshimi i klimës do të ndikojë tek njerëzit, theksoi më tej ajo.

Emira Ajeti tha në vazhdim se dy prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë janë bujqësia dhe pylltaria, por, në një vend si Kosova, në rast të reshjeve atmosferike, nuk jemi të gatshëm të përballemi me to.


Ajo shtoi se, për fat të keq, Kosova, si dhe gjithë Ballkani, është një vend plot me mohues të ndryshimeve klimatike, madje ka edhe nga ata të cilët hedhin dyshime mbi konsensusin shkencor se ekzistojnë ndryshime. Këto mite zakonisht adresohen prej vet të rinjve, andaj edhe një ndër qëllimet kryesore të këtij projekti është t’i angazhojmë të rinjtë, sepse të rinjtë janë ata të cilat janë më mendjehapur dhe janë të gatshëm për të ndryshuar, pasi që më të vjetrit i përtojnë ndryshimeve.

Halil Berisha, menaxher i mjedisit në kompaninë “Sharcem”, që merret me prodhimin e çimentos, një industri e cila ka ndikim në ndryshimet klimatike, pasi foli për historikun e kësaj fabrike, që daton nga voiti 1936,  tha se pas privatizimit nga kompania multiglobale e prodhimit të çimentos “Titan”, kjo kompani ka filluar ndryshimet që efektin më të madh do ta kenë në mjedis.


Sipas Berishës, në këtë drejtim kompania “Sharrcem” është e certifikuar sipas standardeve më të larta dhe më të avancuar ndërkombëtare, siç është ISO 14000, për standardizim dhe arritshmëri në aspekte mjedisore.

Ai tha se të gjithë parametra ndotës, që mund të shkaktohen nga kjo industri e çimentos, janë mirë të kontrolluar dhe mjaft mirë të monitoruar, si rezultat i investimeve që janë bërë në këtë fabrikë, ndërsa të gjitha substancat që konsiderohen të dëmshme për mjedisin janë të monitoruara në mënyrë të vazhdueshme.

Pas paraqitjeve të folësve në ligjëratë, u zhvillua një debat me interes rreth kësaj teme.