Në Ditën Ndërkombëtare të Librit

23/04/2015

Përgjatë një rruge rreth 15 kilometra, me tri qendra më të mëdha dhe mbi 15 fshatra, nga Lluzhani deri në Orllan, ka plot dyqane mallrash ushqimore, depo të materialeve ndërtimore, parukeri, servise dhe restorante. Por në asnjërin prej këtyre vendbanimeve nuk ka një librari ku mund të blesh ndonjë libër, nuk ka asnjë bibliotekë ku të huazosh një libër për lexim. Nuk ka madje asnjë kiosk dhe aty nuk mund të blesh asnjë ekzemplar gazete a reviste.

Ka pasur, jo fort moti, edhe gazeta edhe libra.

 

Por, në gjithë këtë hapësirë që përmendëm, pothuaj çdo familje ka qasje në internet, në forma të ndryshme. Në lagjet e largëta interneti mbërrin përmes antenave për përcjelljen e sinjalit. Me të edhe sinjali i televizionit kabllor. Përmes tyre, te këta banorë mbërrijnë informacionet të cilat i mundëson teknologjia.

Por, nuk mbërrin libri!!! 

E secila prej këtyre familjeve ka në përbërjen e vet nxënës dhe studentë. Rrjedhimisht, kategori që ka nevojë për të pasur dhe për të lexuar libra. 

 

Por, a lexojnë ata?

Statistikat flasin se niveli i leximit të librit po shënon rënie të vazhdueshme. Anketat nxjerrin dy probleme që shtrojnë lexuesit – çmimin e lartë të librit dhe mjaftueshmërinë me informacionet e marra nga interneti.

Për rrethanat kosovare, libri edhe mund të duket i shtrenjtë. Por, në krahasim me popujt e vendet e tjera, nëse marrim për bazë përfitimet nga leximi, libri nuk mund të thuhet se është i shtrenjtë. Natyrisht, libri profesional dhe i përzgjedhur. Bëhet më shumë fjalë për mungesën e kulturës së leximit, sesa për pamundësinë për blerjen e librave.

 

Mjaftueshmëria me informacionet e marra nga interneti! A e zëvendëson interneti librin? Të gjitha statistikat dhe anketat thonë se, në vendin tonë dhe në vendet me traditë të shkurtër dhe të shpejtë të zhvillimit dhe shtrirjes së internetit, përqindja më e madhe e përdoruesve të internetit e përdorin atë për lexim të shpejtë lajmesh e më së shumti për lojë e argëtim.

 

Në vende të tjera, për shembull në Britani të Madhe, gjithashtu ka rënë pak shkalla e leximit të librave të printuar. Por, është rritur ndjeshëm shkalla e leximit të librave elektronikë, atyre që janë me pagesë dhe atyre që janë falas. Në vendin tonë nuk ka një statistikë për leximin e librave elektronike. Por as në internet nuk ka shumë libra të këtij lloji. Libra shkollorë jo se jo.

Nëse nxënësit e shkollës fillore lexojnë më shumë librat e detyrueshëm dhe në shkallë më të lartë i lexojnë lektyrat shkollore nga lënda e gjuhës e letërsisë, shkalla e leximit të këtyre librave në shkollën e mesme shkon e bie drastikisht. Mësimdhënësit e letërsisë në këtë nivel thonë se numri i nxënësve që lexojnë ndonjë libër jashtë librave profesionalë është shumë i vogël – numri i atyre që i kopjojnë referatet a esetë nga të tjerët po shënon vetëm rritje.

 

Në nivelin e shkollimit të lartë nuk mund të lavdërohemi me shkallën e leximit. Përveç përtacisë, një armik tjetër i librit janë dispensat. Por, a e zëvendësojnë ato librin? Në asnjë mënyrë. Kudo në studimet universitare studentëve u jepen dispensat nga profesorët, por ato, më së shumti që mund të hyjnë në punë, është dhënia e orientimeve elementare drejt librave e burimeve të tjera të literaturës. 

Për fat të keq, statistikat thonë se shumë më shumë kanë punë skriptoret, që kopjojnë paligjshëm libra e dispensa të profesorëve, sesa libraritë a bibliotekat e institucioneve që ofrojnë libra.

Kjo qasje duhet të ndryshojë – sa më shpejt që ndryshon më mirë do t’i kemi punët të gjithë, sa më shumë që zgjat më gjysmakë do të na lërë të gjithëve. 

 

Është edhe një çështje tjetër, ajo e përdorimit të burimeve nga interneti për shkrimet e eseve si detyrë akademike. Shkalla e studentëve që vërtet e lexojnë një libër dhe shkruajnë një ese për të është shumë e vogël. Funksionon shkëlqyeshëm metoda e gjimnazit – kopjimi nga tjetri ose nga interneti. Pa marre – pasi të gjithë e dimë se kjo gjë vërtetohet shumë lehtë!

Nuk janë shumë veta që e dinë se 23 prilli është Dita Ndërkombëtare e Librit, e caktuar nga UNESCO dhe që lidhet me ditëlindjen e shkrimtarit të shquar anglez, Uilliam Shekspir. Nuk e dimë, sepse kjo ditë në vendin nuk shënohet fare ose shënohet me ndonjë aktivitet që rrallë  e tek zë vend në media. 

 

Në botë, kjo ditë shërben për të rikujtuar rëndësinë e vazhdueshme të librit, në formë të printuar apo në formë elektronike. Për të rikujtuar se është e vërtetë se teknologjia ka bërë revolucion në jetën tonë, na e ka bërë atë më të lehtë në të gjitha punët, – edhe në fushën e të nxënit të dijes – por ajo kurrë nuk e ka zëvendësuar librin, nuk e ka këtë pretendim dhe nuk do të arrijë ta bëjë kurrë këtë.

 

Ajo çka duhet të bëjmë ne është rikthimi i kulturës së leximit. Te të gjithë. Është mirë që nxënësit të dërgohen për ekskursion në Mirushë, në Prizren a në Krujë – por është e domosdoshme që ata të dërgohen në panairet e librit në Prishtinë, në Tiranë e në Tetovë.

Në këtë drejtim mund të bëjmë shumë të gjithë ne, si prindër, si mësimdhënës, si media, si intelektualë, si qytetarë. E kemi për obligim.

Safet Zejnullahu / UBT News