Në ditën e parë të ANV-së, Fakulteti i Shkencave Politike trajton problemet e sigurisë

06/07/2016

Aktivitete në kuadër të Akademisë Ndërkombëtare Verore (ANV), ka zhvilluar në ditën e parë edhe Fakulteti i Shkencave Politike. 

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës dhe ish-deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh ligjërues në UB, prof. Behar Selimi, mbajti ligjëratën “Studimet e sigurisë – qasja tradicionale dhe moderne”. 
Në ekspozenë e tij, ai shtjelloi në detaje shkollat dhe rrymat kryesore të zhvilluara në fushën e studimeve të sigurisë, duke theksuar rëndësinë e secilës nga to për fushën e dijes dhe rolin e tyre në politikat nacionale të shtetit dhe atyre ndërshtetërore. Prof. Selimi foli edhe për kërcënimet dhe rreziqet potenciale me të cilat përballen shtetet sot. 


E, zëvendësministri për Integrime Evropiane, njëherësh ligjërues në Kolegjin UBT, Ramadan Ilazi, mbajti ligjëratën “Siguria ndërkombëtare dhe studimet e paqes”. 
Ai theksoi rolin dhe rëndësinë e aktorëve dhe të faktorëve ndërkombëtarë në sigurinë ndërkombëtare, duke u fokusuar studimet e paqes dhe zgjidhjes së konflikteve në shoqëritë transitore.