Në ANV-në e Juridikut ligjërohet për privatësinë e transaksionet bankare

20/07/2017

Fakulteti Juridik i UBT-së, në kuadër Akademisë Ndërkombëtare Verore, ka vazhduar me ciklin e ligjëratave tematike, teksa sot është ligjëruar për “Privatësinë, Konfidencialitetin dhe Sigurinë e të dhënave”.


Duke trajtuar këtë temë, ligjëruesja në Fakultetin Juridik të UBT-së, Jonida Xhafaj ka paraqitur shumë koncepte me të cilat ekspertët e përkufizojnë privatësinë, por sipas saj, privatësia është e drejtë themelore e njeriut, që nënkupton përfshirjen e të dhënave personale, materiale, intelektuale etj.


Tutje, Xhafaj ka thënë se sot privatësia ka marrë kuptim tjetër, më të gjerë, dhe është më vështirë të mbrohet. Sipas saj, edhe përparimet digjitale janë faktorë që ndikojnë në cenim të privatësisë.


Për studentët pjesëmarrës ka ligjëruar edhe profesori në Fakultetin Juridik të UBT-së, Shpend Nura i cili ka trajtuar temën: “Sistemi bankar në Kosovë dhe Hyrje në Transaksionet Elektronike”.


Nura ka thënë se forma më moderne e të bërit biznes është ajo e E-Commerce, me anë të së cilës blihen, shiten produkte ose shërbime në formë elektronike duke shfrytëzuar internetin. Forma të tilla sipas tij, përmirësojnë procesin e shit-blerjes, si dhe kjo formë përdoret pothuajse në të gjitha bizneset.


Ndërkohë ai ka thënë se është shumë e rëndësishme edhe siguria e pagesave që bëhet, sepse sipas tij, këto procese shpesh herë përfshihen edhe nga krimet kibernetike.​