Mjeku shqiptar Haqif Gashi: Kemi pasur mbështetje të madhe nga shteti gjerman në kohën e pandemisë

20/04/2020

 

Udhëheqës i Departamentit të Intensives dhe Anesteziologjisë, në Münich, Haqif Gashi, ka folur për gjendjen aktuale të pandemisë Covid-19, si po e përballon Gjermania këtë gjendje si dhe organizimin e spitaleve për trajtimin e të prekurve nga ky virus.

 

Përgjatë intervistës të organizuar nga UBT, e transmetuar drejtpërdrejtë në UBT TV dhe Radio Campus, Gashi ka theksuar se personeli i shëndetësisë për pacientët ka siguruar edhe shërbime psikologjike duke i kushtuar rëndësi edhe për shëndetin mendor dhe gjendjen emocionale të tyre.

 

“Kur filloi të ritet numri i të prekurve shteti gjerman për secilin spital ka reaguar shpejt dhe i ka porositur aparaturat për leximin e strishove. Po ashtu përdoret edhe metoda PCR me anë të cilës brenda 4-5 ore shfaqet rezultati për testim të virusit dhe e bën të mundur që të identifikohet virusi edhe nëse është shfaqur në trupin e pacientit para disa javëve dhe e ka tejkaluar pa samtoma”, shtoi ai.

Duke folur për masat higjienike që po zbatohen në spitale, dr. Gashi potencoi se mobilizimi i stafit është njëra nga elementet kryesore që duhet të respektohet. Ai veçanërisht e ka falënderuar departamentin e IT-së që i posedojnë këto spitale, për krijimin e platformave që e bëri të mundur shpërndarjen e informacionit në mënyrë shumë të shpejtë.

 

“Kemi pasur mbështetje financiare marramendëse nga shteti gjerman ku kemi porositur aparatura të mjaftueshme që kushtojnë me mijëra euro. Përveç asaj nuk ka munguar as motivimi i stafit si dhe kujdes të veçantë i kanë kushtuar sigurimit të medikamenteve dhe materialeve mbrojtëse ”, potencoi Gashi.

 

Tutje, ai shpjegoi detaisht për procesin e trajtimit të pacientëve të prekur me virus ku ka theksuar se tek pacientët të cilët nuk kanë pasur ndonjë sëmundje kronike kanë arritur të i trajtojnë në mënyrë më të mirë të mundshme dhe ta lirojnë nga instensiva.

“Sistemi gjerman i shëndetësisë ka shtrirje të madhe të  spitaleve, të intensives, të emergjencës, kemi platforma të ndryshme që mundësojnë komunikim të shpejtë në mënyrë online në çdo spital apo repart tjetër. Kemi një qendër e cila e menaxhon ngarkesën e spitaleve varësisht numrit të pacientëve, të shtretërve, të pajisjeve etj, në mënyrë që të ketë shpërndarje të balancuar”, potencoi Gashi.

 

“Numri i të prekurve në gjermani ka qenë më i rënduari kurse javën e fundit kemi shumë më pak pacientë në repartin e intensives. Kështu që kemi shpresë që po e tejkalojmë atë pikën e nxehtë, krizën, por deri në fund të prillit mendoj që kjo dukuri do të shfaqet ende mirëpo në masa më të vogla”, shtoi ai.

 

Duke folur për masat e izolimit që janë marr në shtetin gjerman dr.Haqif Gashi theksoi se Gjermania si shtet nuk ka status të jashtëzakonshëm në kohën e pandemisë. Sipas tij masat janë marrë me kohë mirëpo  qytetarët nuk janë të izoluar dhe të kufizuar shumë në krahasim me shtetet tjera sidomos me Kosovën.

 

“Mendojmë që nga fundi i majit shumica e institucioneve në gjermani do të funksionojnë. Repartet e operacionit nuk funksionojnë për momentin, me qindra operacione i kemi shtyrë, prandaj nga qershori do të kemi një punë shumë të madhe për t’i menaxhuar këto operacione. ”, theksoi ai.

 

Ndërkaq, duke folur për standardet, menaxhimin e cilësisë dhe trajnimin e stafit për pandeminë, prof.Gashi konsistoi se konzociumi i spitaleve ka formuar një ekip prej ekspertëve ku stafin e kanë mbajtur të informuar në çdo kohë për mënyrën e të vepruarit.

Gjendja e komunitetit shqiptar në gjermani sipas Gashit është stabile, dhe potencoi që deri më tani nuk ka pasur asnjë të prekur nga ky virus.

Detajet e intervistës e gjeni në linkun: https://www.facebook.com/UniversitetiUBT/videos/235022894368906/