Minxhozi ndan mirënjohje për inxhinierët në UBT dhe MTI, për ndihmën e dhënë Shqipërisë

13/12/2019

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka ndarë mirënjohje ekspertëve, njëherësh profesorëve në UBT, dhe inxhinierëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit të Kosovës, për ndihmën profesionale dhënë Shqipërisë, në vlerësimin e objekteve dhe shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, me magnitutë 6.4 shkallë rihter.

 

Me këtë rast, ambasadori Minxhozi tha se grupi i ekspertëve i përbërë nga profesorë të UBT-së dhe MTI-së, veproi më shpejt duke dhënë ekspertiza tejet profesionale.

 

“Kosova ishte e para me ushtri dhe qytetarë. Si dhe me inxhinierët për të cilët jemi krenar. Kjo që ndodhi ishte fatkeqësi, por do të zbutet me një pjesëmarrje të përbashkët. Është një mësim për studentët, politikanët, mos të bëjnë punën me vulë nga njerëzit, por me profesionalizëm”, tha ambasadori Minxhozi.

 

Ndërkaq, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, tha se UBT gjithnjë do të jetë i gatshëm si institucion të mobilizojë grupe të inxhinierëve dhe tu dalë në ndihmë vendeve të prekura.

 

“Ne si institucion i arsimit të lartë do të vazhdojmë më tutje me raporte dhe vlerësime shtesë të ndihmojmë sado që kemi mundësi. Shpresoj që mos të kemi takime të tilla, por bashkëpunimi është shembull i mirë që mund të veprohet edhe në raste tjera”, theksoi rektori Hajrizi.

 

Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, falënderoi grupin punues që veproi në Shqipëri, teksa tha se institucioni që ai drejton do të jetë në gjendje gatishmërie.

 

“Që nga minuta e parë që kemi pasur informacione, Qeveria e Kosovës ka qenë në gjendje gatishmërie. Nuk kemi bërë asgjë më shumë as më pak se sa bën vëllai për vëllanë. Ne duhet të jemi bashkë, dhe sigurisht falënderoj profesionistët e MIT-it dhe UBT-së të cilët keni sakrifikuar të shkoni në zonat më të vështira për të vlerësuar ndërtesat”, tha Lekaj.

 

Ekspertët dhe profesorët në UBT, vizituan zonat më të prekura nga tërmeti, ku qëndruan disa ditë në Shqipëri për të inspektuar dhe për të dhënë rekomandime profesionale lidhur me ndërtimet.