Ministri Ferat Shala mbajti ligjëratë tematike në UBT për “Sfidat e mjedisit në Kosovë”

13/02/2017

“Sfidat e mjedisit në Kosovë” ishte tema e ligjëratës tematike që e mbajti para studentëve dhe profesorëve të UBT-së, ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Republikës së Kosovës, Ferat Shala.

Në ligjëratë, ministri Shala trajtoi sfidat dhe vendimmarrjet në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, si dhe ku është dhe kah po shkon Kosova në këtë sektor. Mes të tjerash, ai theksoi se kjo ministri i ka caktuar katër prioritete bazike për mirëqenien dhe funksionimin adekuat të tyre: ajri, uji, mbetjet urbane dhe planifikimi hapësinor, ku për secilën u diskutua në mënyrë të veçantë.


“Jemi duke punuar që qytetarët e Kosovës të jetojnë në një ambient shumë më të pastër, të kenë ujëra të rrjedhës së pastër dhe të pijshëm, me vendbanime të ndërtuara në mënyrë legale, duke pasur parasysh gjithmonë uljen e kostos”, tha ministri Shala.


Sipas tij, Mjedisi dhe Planifikimi është pjesë e pandashme e shoqërisë sonë, prandaj Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor po i mbulon elementet e zhvillimit dhe të ekonomisë, të politikëbërjes institucionale dhe shtetërore.

 

Në fund në ligjëratës u zhvillua një debat i gjerë rreth një varg çështjesh me interes për planifikimin hapësinor dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.

 

Para ligjëratës, ministri Ferat Shala u prit në një takim nga rektori i UBT-së Prof. dr. Edmond Hajrizi, me të cilin nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi midis dy institucioneve.

“Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor është një ministri që ngërthen në vete funksione, fusha me interes shumë të mëdha për UBT-në, duke marrë parasysh se ne merremi kryesisht me fushat që përfshihen në këtë lëmi dhe ky bashkëpunim është vërtet i rëndësishëm për ne. Ne kemi edhe kënaqësi të veçantë që Ministri me këtë qasje i ka dhënë mundësi të madhe studentëve në ofrimin apo studimin e të dhënave për të rezultuar analizë dhe studime që janë në interes të përgjithshëm për Kosovën”, theksoi rektori Hajrizi me këtë rast.

 

Interaktiviteti dhe bashkëpunimi mes UBT-së dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të na shtyjë dhe do të na përkrahë që të shkojmë më tutje, ku do t’i përgjigjemi sfidave dhe pyetjeve që janë ende pa përgjigje në aspektin infrastrukturor dhe në aspektin e përgjithshëm që lidhet me këtë Ministri, tha rektori Hajrizi