Ministri Bedri Hamza diskutoi me studentët e UBT-së

31/05/2012

 

Prishtinë, 31 maj 2012 – Ministri i Financave në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Bedri Hamza ka  marrë pjesë në debatin e organizuar sot në UBT, në temën “Marrëveshja Stand-By në mes FMN-së dhe Kosovës”.  Të pranishëm në debat ishin profesorë të UBT-së, studentë dhe të interesuar të tjerë, të cilët përcollën me interesim debatin.

 

 

Ministri Hamza  u fokusua në të arriturat dhe sfidat e Kosovës në procesin  financiar vendor,  të hyrat buxhetore, përkatësisht financat publike. Ai shpjegoi edhe vështirësitë që e kanë përcjellë  këtë sektor në periudhën e fundit. 

 

 

Z. Hamza tha se, sipas vlerësimeve, rritja ekonomike ka qenë 5.3%, por ka nevojë të ketë edhe një rritje prej 7.3%.  “Ne si institucion vendimmarrës kemi prioritet të ketë rritje ekonomikë në sektorin privat dhe ta përkrahim këtë sektor fuqishëm”, tha ai, duke shtuar se Kosova është e orientuar në investime kapitale, me një fjalë, ku ka rritje ekonomike. 

 

 

 

Gjatë debatit të ministrit Hamza  me studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë, u theksua se Ministria e Financave  ka marrëdhënie të mira me institucionet ndërkombëtare. Gjithashtu, u theksua se, sa i përket borxhit publik, shteti ynë është në nivel të kënaqshëm krahasuar me disa shtete të tjera rajon dhe me gjerë.

 

 

Nga debati gjithashtu doli se Doganat e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës janë institucionet kryesore kontribuuese në buxhetin e vendit dhe dy institucione që e kryejnë me shumë sukses punën e tyre.

 

U theksuan gjithashtu vështirësitë që dalin në drejtimin e një institucioni me ndikim të madh në vend, siç është Ministria e Financave, por falë një pune të palodhshme gjërat po shkojnë kah zhvillimi pozitiv.

 

Gjatë takimit me studentët dhe profesorët e UBT-së, ministri Bedri Hamza foli edhe për një varg çështjesh në interes të të pranishmëve.