Me vizita e aktivitete socializuese mbylli punimet ANV-ja e Psikologjisë

23/07/2018

Me vizita e aktivitete socializuese dhe relaksuese mbylli punime Akademia Ndërkombëtare verore e Qendrës Këshilluese për Studentë në UBT.

Fillimisht pjesëmarrësit vizituan Sos Fshatin e Fëmijëve ku u njoftuan për së afërmi me punën humane të punonjësve të kësaj organizate. Ata janë pritur nga drejtoresha e programeve të SOS fshatrave të fëmijëve, Ora Bytyçi, e cila tha se organizata ofron ngrohtësi dhe përkrahje fëmijëve të braktisur, atyre që kanë humbur kujdesin prindërorë dhe atyre që jetojnë në kushte të rënda socio-ekonomike.

Udhëheqësja e Qendrës Këshilluese për studentët e UBT-së, Vjollca Pllana-Shahini, ka thënë se kjo vizite ishte e një rëndësie të veçantë, pasi sipas saj, demonstrohen në praktikë shembujt më të mirë të reziliencës njerëzore.

Ajo tha se fëmijët të cilët lindin në kushte të vështira mund të arrijnë potencialin e tyre falë punës së një ekipe profesionistësh të organizuar, të përgatitur të përgjegjshëm e mbi të gjitha të dashur.

Në kuadër të Akademisë, sot është organizuar edhe një vizitë në parkun e Gërmisë për të shijuar natyrën dhe praktikuar ushtrime të cilat promovojnë higjienën mentale dhe lidhjen me të tjerët.

ANV-ja e Psikologjisë e organizuar nga Qendra e Këshillimit të Studentëve në UBT, pati interesim të madh, pjesëmarrës pati edhe studentë nga Universiteti i Tetovës, Universiteti i Prishtinës, universiteti i SHeffIeld-it, etj.