Me rreth 15 mijë pjesëmarrës e 500 ligjërues, mbylli aktivitetin festivali “Global UBT Fest 2020”

07/08/2020

 

Ka përmbyllur suksesshëm aktivitetin festivali “Global UBT Fest 2020”, festival që mori vëmendjen e rreth 15 mijë pjesëmarrësve nga vendi, rajoni dhe Evropa, të cilët përgjatë 1 muaji ndoqën akademi të shumta online, forume, aktivitete kulturoro-artistike, hackings, etj.

 

Ky festival është i pari i këtij lloji që mbahet në Kosovë, ku pati qasje ndërdisiplinore, teksa u prezantuan praktikat më të mira në 31 fusha të jetës. Gjithashtu, u prezantuan ligjërata nga rreth 500 profesorë e ekspertë të fushave, si dhe hulumtime shkencore.

 

Në ceremoninë përmbyllëse të ngjarjes më të madhe akademike në rajon, “Global UBT Fest 2020”, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, potencoi se festivali ishte i ndërlidhur me të gjitha resurset e UBT-së, si i tillë mori edhe formën e një festivali ndërkombëtarë.

 

Rektori Hajrizi tha se “Global UBT Fest 2020” zgjoi interesimin e pjesëmarrësve nga shumë shtete ndërkombëtare, teksa në fokus kishe inovacionin, zhvillimin e qëndrueshëm, njëherësh pati këndvështrim akademik.

 

“Festivali që është organizuar nga UBT, pati formën e një festivali global, ngaqë zgjoi interesimin e pjesëmarrëse nga shumë shtete të botës. Fokusi i festivalit ka qenë rezilienca, inovacioni, zhvillimi i qëndrueshëm, pati këndvështrime akademike, u prezantuan shumë tema që prekin aspekte të jetës, dhe gjitha kjo krijoi një eksperiencë të re. Ky festival doli si rezultat i punës së Akademisë Verore Ndërkombëtare për të nëntin vit me radhë, por këtë vit kemi shtuar forumet, konferencat, ekspozitat e ndryshme, si dhe këto e kanë formuar në festival të dijës”, theksoi Hajrizi.

 

Zyrtarët e Qendrës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar në UBT, Lirigzona Morina, Ensar Bajrami dhe Erëza Mehmeti, treguan se institucioni përgjatë një muaji zhvilloi aktivitete dhe ngjarje me karakter ndërkombëtar, teksa thanë se festivali ka tejkaluar pritshmërisë për sa i përket pjesëmarrësve.

 

“Festivali u cilësua si ngjarja më inovative në kohën më të vështirë në të cilën po kalon bota, pandemia. Konkretisht UBT Fest ka përcjellë 500 folës vendor e ndërkombëtarë. Një falënderim i veçantë shkon edhe për Media Group-in, të cilët në mënyrë profesionale kanë raportuar lidhur me ngjarjet që ndodhën përgjatë një muaji, njëherësh edhe grupin e IT-së. Po ashtu, edhe sponsorët që na përkrahen, RTK-në, Portalin Telegrafi, Ekonomia online”, tha Lirgzona Morina.

 

Kemi pasur në total 31 akademi verore, 25 forume, 25 ngjarje, 15 hacking, Expo and start-Ups Zones, kjo i ka tejkaluar parashikimet dhe pritshmërinë tonë. Ka qenë eksperiencë e jashtëzakonshme”, potencoi Ensar Bajrami.

 

Global UBT Fest ka qenë një prej ngjarjeve me më së shumti pjesëmarrës, ku kemi pasur mbi 10 mijë pjesëmarrës nga vendi rajoni, dhe vendet tjera botërore. Pjesëmarrës kanë qenë shumë të kënaqur, fillimisht për festivalin, për ligjëruesit, për interaktivitetin, teksa janë falënderuar që në këto kohë pandemie u janë ofruar më të rejat nga 31 fusha të jetës”, tregoi Erëza Mehmeti.

 

Nga Qendra Këshilluese në UBT, ka folur Vjollca Pllana, e cila theksoi se në aktivitetet e akademisë verore u zhvilluan aktivitete dhe u prezantuan hulumtime shkencore, ku morën pjesë profesionistë shëndetësor.

 

Qendra këshilluese edhe këtë vit ka mbajtur aktivitete në kuadër të festivalit, si dhe ka tejkaluar pritshmëritë tona si organizatorë, dhe kjo na ka motivuar. Virtualisht gjithçka ka shkuar shumë mirë, si në aspektin teknik, si në aspektin e pjesëmarrës dhe sesioneve. Kanë marrë pjesë shumë profesionistë shëndetësor, pjesëmarrës vendor e ndërkombëtare, e janë prezantuar hulumtime shkencore. Janë mbajtur aktivitete të ndryshme, punëtori”, tha Pllana.

 

Ndërkohë drejtori i Qendrës për Shërbime Profesionale dhe Produkte, Besnik Skenderi, tha se në kuadër të këtij festivali u mbajt akademia për Shkolla Profesionale, e para e këtij lloji në Kosovë.

 

Në kuadër të UBT-së, departamenti për Shërbime Profesionale dhe Produkte, ka organizuar edhe akademinë profesionale, e para e këtij lloji në Kosovë, që u organizua për të promovuar produktet profesionale. Me pjesëmarrës të shumtë, kjo akademi është karakterizuar më pjesëmarrës të fushave të ndryshme dhe jo vetëm të fushës teknike. Folës të jashtëzakonshëm, ku kanë përmendur trendët e teknologjisë, etj., njohuri që janë praktikuar përgjatë akademisë”, theksoi Skenderi.

 

Integruar në kuadër të festivalit “Global UBT Fest 2020, Akademia Ndërkombëtare Verore e UBT-së, tashmë është shndërruar në tradicionale, ku u mbajt për të nëntin vit me radhë. Akademitë, si dhe aktivitetet tjera, ishin të fokusuara në disiplina të shumta shkencore ku shkëmbyen ide online nga qindra profesorë dhe nga mijëra pjesëmarrës.