Me organizim madhështor, UBT mbajti ceremoninë e gradimit të studentëve

08/09/2023

Me një organizim madhështor në “Klan Arena”, UBT shënoi ceremoninë e gradimit të studentëve të gjeneratës së njëzetë, duke i dhuruar Kosovës profesionistë dhe ekspertë që do të kontribuojnë në fusha të ndryshme të jetës.

Të lumtur dhe të entuziazmuar për arritjen e tyre profesionale, studentët përmbyllën suksesshëm një cikël të rëndësishëm jetësor në drejtimet në nivelin bachelor dhe master të programeve: Dizajn i Integruar, Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Media dhe Komunikim, Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Sistemet e Informacionit, Shkenca të Ushqimit dhe Bioteknologji, Inxhinieri e Agrikulturës dhe Mjedisit.

I gëzuar dhe krenar për gjithë këtë arritje të tyre, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka përgëzuar secilin student për angazhimin dhe përkushtimin për të kryer një cikël të rëndësishëm të jetës së tyre, siç janë studimet akademike.

“Është një moment shumë i rëndësishëm të japim mesazhe që këtu nuk është fundi i dijes, sepse njeriu gjatë gjithë kohës duhet të mësojë. Është shumë e rëndësishme që ta ndjeni pjesën e përgjegjësisë, meqenëse tani më nuk jeni vetëm studentë që merrni përgjegjësi, por jeni edhe ju dhënës të përgjegjësive të reja dhe duhet të jepni më shumë nga vetja që Kosova të jetë më mirë. Ju keni një mundësi të jashtëzakonshme që të zgjidhni probleme të shumta që ndodhin në vend dhe në botë. Me këtë numër të madh të të rinjve, e ardhmja e Kosovës do të jetë e ndritshme” u shpreh rektori Hajrizi.

Ceremonia e gradimit nuk kishte se si të mos konkretizohej ndryshe pa betimin e studentit, të cilin e udhëhoqën, studentja e dalluar e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Erzana Uka, dhe studentja e Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Albenita Gashi, duke bërë kështu që njëzëri studentët të betohen për t’i shërbyer shkencës, edukimit, e vendit, si dhe me vetëdije dhe vullnet të plotë të bëhen pjesë kontribut dhënëse në ndërtimin e shtetit dhe prosperimin e shoqërisë sonë.

Ceremonia u përcoll me disa pika të zgjedhura muzikore nga studentët e Fakultetit Muzikë Moderne, Prodhimi Digjital dhe Menaxhimi, Tringa Makolli dhe Elton Kqiku, teksa kulmoi me momentin shumë madhështor dhe më të rëndësishëm për secilin student, por edhe për UBT-në si institucion i arsimit të lartë, për hedhjen e kapelave, si simbol i përfundimit të një periudhe plot përkushtim dhe sakrificë dedikuar dijes dhe avancimit akademik.

Për shkak numrit të madh të studentëve që kanë përmbushur kriteret për të qenë pjesë e këtij eventi madhështor, ceremonia e gradimit do të vazhdojë të shtunën e 9 shtatorit, për të përmbyllur kështu një nga organizimet më madhështore dhe më emocionuese të institucionit më të madh të arsimit të lartë në Kosovë, të UBT-së.