EOQ Congress 2026 në UBT: Liderët evropianë të cilësisë diskutojnë transformimin, inovacionin dhe udhëheqjen reziliente
23/10/2026Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ Congress 2026), në UBT u mbajt sesioni plenar i Liderëve Evropianë të Cilësisë, ku ekspertë ndërkombëtarë diskutuan mbi rolin e udhëheqjes në transformimin organizativ, arritjen e ekselencës dhe ndërtimin e organizatave të qëndrueshme në një mjedis biznesi gjithnjë në ndryshim.
Sesioni, i moderuar nga Tiia Tammaru, mblodhi përfaqësues të komunitetit evropian të cilësisë, të cilët ndanë përvojat dhe perspektivat e tyre mbi mënyrat se si cilësia mund të shërbejë si nxitës i transformimit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes së ndikimit organizativ.
Gjatë sesionit, u trajtuan këto tema:
Pierre Girault, president i AFQM-së, Francë – Fjalë përshëndetëse, të cilit iu nda edhe Certifikata nga EOQ.
Dr. Ing. Florian Weymar – “Udhëtimi i udhëheqjes: Cilësia si nxitës i transformimit”.
Dr. Patricia Carvalho – “Nga ekselenca te ndikimi: Mësime nga udhëheqja në fushën e cilësisë”.
Diskutimet vunë në pah rëndësinë e udhëheqjes efektive në përballimin e ndryshimeve teknologjike dhe sfidave të reja të biznesit, duke theksuar se cilësia nuk kufizohet vetëm në përmbushjen e standardeve, por përbën një element thelbësor të transformimit dhe zhvillimit afatgjatë të organizatave.
Në vazhdim të programit të Kongresit, u zhvillua edhe dialogu ndërmjet përfaqësuesve kombëtarë të EOQ-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, me fokus në shkëmbimin e perspektivave dhe forcimin e bashkëpunimit global në fushën e cilësisë. Përmes këtyre diskutimeve, EOQ Congress 2026 në UBT vazhdoi të krijojë hapësirë për shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare dhe promovimin e qasjeve bashkëkohore ndaj cilësisë, udhëheqjes dhe inovacionit.



