Me mbi 1000 pjesëmarrës dhe afro 500 punime shkencore, mbylli punimet edicioni i tetë i Konferencës Ndërkombëtare të UBT-së

30/10/2019

Në mesin e mijëra pjesëmarrësve, mbylli punimet edicioni i tetë i Konferencës Ndërkombëtare për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion, e cila tashmë është bërë traditë, dhe që këtë herë u mbajt më 26-28 tetor.

 

Sikurse në secilin edicion paraprak, edhe këtë herë është shënuar rritje në numrin e pjesëmarrësve dhe të punimeve të prezantuara, me ç’rast përgjatë dy ditëve, konferenca mblodhi mbi 1 mijë pjesëmarrës,  rreth 500 punime shkencore, të punuara me shumë profesionalizëm nga 730 autorë vendorë e ndërkombëtarë.

 

Ajo që e bëri të veçantë dhe akoma më të pasur këtë konferencë ishte prania e mbi 300 profesorëve e ekspertëve ndërkombëtarë, numër ky që po shënon rritje nga viti në vit, e që është një tregues i qartë mbi nivelin e lartë organizativ dhe hulumtues të UBT-së.

 

Qëllimi kryesor i kësaj konference ishte që të bëjë të mundur shkëmbimin e njohurive dhe shkathtësive në mes hulumtuesve, profesorëve, studentëve të doktoraturës dhe ekspertëve të ndryshëm nga industria. Andaj, për këtë qëllim, konferenca shtriu aktivitetin e vet në 21 fusha të ndryshme, që u mbajtën njëkohësisht, përfshirë fushat: Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri e Komunikimit; Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi; Mekatronikë, Inxhinieri e Sistemeve dhe Robotikë; Inxhinieri e Energjisë Efiçiente; Sisteme të Informacionit dhe Siguri; Arkitekturë – Planifikim Hapësinor; Inxhinieri Ndërtimore, Infrastrukturë dhe Ambient; Juridik; Shkenca Politike; Gazetari, Media dhe Komunikim; Shkenca të Ushqimit dhe Teknologji; Shkenca farmaceutike dhe Natyrore; Dizajn; Psikologji; Edukim dhe Zhvillim; Modë; Muzikë; Art dhe Media Digjitale; Stomatologji, si dhe Mjekësi e Aplikuar.

 

UBT, përmes organizimit të konferencave shkencore, po jep kontribut të vazhdueshëm për zhvillimin e shkencës dhe të hulumtimit, duke u mundësuar profesorëve dhe profesionistëve të fushave të ndryshme, të prezantojnë rezultatet e punës së tyre shkencore, me ndikim në proceset akademike, por edhe me interes për publikun dhe ndjekjen e trendëve të fundit të zhvillimit në të gjitha fushat.