Me ligjërata tematike dhe vizita studimore vazhdon aktivitetin ANV e Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë

16/07/2021

Fakulteti Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT ka vazhduar aktivitetin e akademisë verore, që po mbahet në kuadër të “Global UBT Fest 2021”, me vizita studimore, si dhe ligjërues e ekspertë ndërkombëtarë, me tema të cilat prekin fushën e inxhinierisë ndërtimore.

 

Ditën e tretë të kësaj akademie, stafi akademik dhe pjesëmarrësit kanë zhvilluar një vizitë studimore në vende të ndryshme të Kosovës. Fillimisht ata vizituan segmentin e ri hekurudhor të stacionit të trenave në Fushë Kosovë, më pastaj vizita ka vazhduar në segmentin e hidrosistemit Ibër-Lepenc, tek urat e dëmtuara nga vërshimet e ujit në lumi Sitnica, si dhe te segmenti hekurudhor dhe veprat inxhinierike të tyre në fshatrat Grabovc dhe Dobroshevc.

 

Në ditën e katërt të Akademisë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, ka ligjëruar profesori Afrim Syla, i cili ka folur për ndërtimin rezistent ndaj Radonit për shtëpi të reja dhe për kërkesat për shkarkimin e Radonit.

 

Profesori ndërkombëtar, Joao David, është bërë pjesë e “Global UBT Fest 2021”, duke zbarkuar në Kosovë, për t’iu bashkëngjitur Akademisë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, dhe duke ligjëruar për studentët dhe pjesëmarrësit temën: “ArcGis Story Maps-Publishing your Results”.

 

Mbi materialet hidroizoluese dhe materialet e reja në ndërtim, me të pranishmit dhe pjesëmarrësit e tjerë ka diskutuar drejtori për Çështje Akademike në UBT, prof.dr Muhamet Ahmeti, teksa për më të rejat e fundit mbi betonet vetëshëruese ose vetësanuese, hulumtimet, projektet dhe aplikimet, ka shtjelluar më shumë prodekani i Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, prof.dr Visar Krelani.

 

Profesori Shemsi Mustafa, ka folur para studentëve rreth efektit të tërmetit në objekte, katër virtytet e ndërtesave rezistente ndaj tërmetit, si dhe faktorët që ndikojnë në periudhën natyrale, teksa Lekë Krasniqi para studentëve ligjëroi temën: “Road Safety Audit Elements on the “Arbër Xhaferi” Highway”,

 

Për rolin dhe rëndësinë e dizajnit dhe kalkulimit të pishinave dhe ndërlidhjen e tyre me fushën e ndërtimit ka folur Kushtrim Kryeziu dhe Driton Kryeziu, teksa Flakrim Ajeti dhe Bekim Gallopeni kanë ligjëruar për pjesëmarrësit temën: “Plant and Design-Build of WWTP Gjakova”.

 

ANV e Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, do të vazhdojë edhe ditëve të ardhshme me tema dhe aktivitete me interes për studentët dhe pjesëmarrësit.