Me konferencë shkencore, UBT dhe Instituti Shkencor Suedez-Kosovar, shënojnë rënien e Murit të Berlinit

22/11/2019

UBT, në bashkëpunim me Institutin Shkencor Suedez-Kosovar, kanë mbajtur konferencën shkencore ndërkombëtare “30-vjetori i Rënies së Sistemit Komunist”, me ç’rast gjerësisht u diskutua për rënien e komunizmit dhe fillimin e demokracisë, konkretisht rënien e Murit të Berlinit.

 

Konferencën njëditore e hapi rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajirizi, i cili tha se rënia e Murit të Berlinit, 30 vjet më parë, eliminoi një padrejtësi të madhe.

Sipas tij, ky mur i dha fund ndarjes, teksa për botën, ky akt shënon rënien e Perdes së Hekurt dhe fundin e Luftës së Ftohtë.

“Një ëndërr për njerëzimin, për botën demokratike rënia e Murit të Berlinit dhe ribashkimi i Gjermanisë u bë realitet 30 vjet më parë. Ky mur, si simbol që kufizoi demokracinë e Perëndimit dhe diktaturën e Lindjes, la vragë të pashlyeshme në historinë e re të Evropës. Por, edhe më të mëdha ishin vragat e familjeve të ndara”, theksoi rektori Hajrizi.

 

Tutje, rektori Hajirizi potencoi se për gjithë botën demokratike, edhe për shqiptarët, rënia e Murit të Berlinit është një ngjarje historike, që shënon fuqizimin e përpjekjeve të pandalshme për liri e shtet, që kulmuan 10 vjet më vonë.

“Falënderues për gjermanët që e rrënuan murin dhe ndryshuan rrjedhën e historisë së Evropës dhe të botës. Falënderues përjetë për ndihmën që i dhanë Kosovës dhe gjithë shteteve të vogla në botë, kudo ku ka nevojë. Na kujton të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë, dinjitetin njerëzor dhe shtetin ligjor”, potencoi rektori Hajrizi.

 

Zëvendëskryeministri në detyrë, Enver Hoxhaj, tha se viti 1989 ka qenë fund i komunizmit dhe fillim i demokracisë. Me rënien e komunizmit, Hoxhaj tha se përfituese më e madhe është ShBA-ja.

“Viti 1989 ka qenë fundi komunizmit ka sjellë unifikimin e Bashkimit Evropian. Natyrisht kur japim vlerësime të tilla shtrohet pyetja kush përfitoi më shumë. Përfitues i kësaj rrjedhe është padyshim SHBA-ja”, theksoi Hoxhaj.

 

Sipas zv.kryeninistrit Hoxhaj, në 30 vitet e fundit përfitoi shumë edhe Ballkani, si dhe vetë shteti i Kosovës.

 

Drejtoresha e Institutit Shkencor Suedez-Kosovar, Salihe Salihu tha se organizimi i kësaj konference kishte për qëllim shënimin e ngjarjes së rëndësishme, ngjarje që ka prekur dhe pati ndikim në mbarë Evropën, përfshirë edhe Kosovën.

“Si institut shkencor, së bashku me UBT-në, kemi mundësuar të mbajmë në nivel nacional këtë konferencë. Kjo është ngjarje e rëndësishme sepse si e tillë ndryshoi edhe fatin e shtetit tonë. Kjo ngjarje padyshim mori rrugëtim dhe ishim të fundit si vend që rrumbullakuam demokratizimin. Me rënien e komunizmit, sistemi kosovar ka pasur efekt në çlirimin e Kosovës, andaj kjo është lidhja që na bashkoi kjo konferencë”, tha ajo.

 

Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Shkencave Politike në UBT, Arian Starova theksoi se 30 vitet e kaluara tregojnë qartë se popujt ishin të shtypur.

“Fryt i kësaj përpjekjeje disavjeçare është Kosova e pavarur dhe sovrane. Rrugëtimi vazhdon, ndërsa mirënjohja ndaj këtij aleati strategjik është tejet e madhe, sepse kur ka liri ka edhe mjete për të përballuar sfidat”, tha dekani Starova.

 

Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “30-vjetori i Rënies së Sistemit Komunist, vazhdoi prezantimin e punimeve dhe hulumtimeve të profesorëve dhe ekspertëve nga fusha e shkencave politike, dhe jo vetëm.

 

Në kuadër të kësaj konference u prezantuar rreth 30 punime, teksa pjesë e saj ishin dhjetëra pjesëmarrës vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe studentë të shumtë të UBT-së.