Me koncert semestral mbyll punimet Akademia Ndërkombëtare Verore e Muzikës Moderne

12/07/2022

Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Muzikë Moderne, Prodhim Digjital dhe Menaxhim në UBT, në kuadër të “Global UBT Fest 2022”, ka përmbyllur suksesshëm edicionin e sivjetshëm të saj me një koncert semestral të organizuar nga studentët e këtij fakulteti në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan.

 

Koncerti madhështor, i cili gërshetoi në vete muzikën tradicionale dhe atë moderne, kishte për qëllim argëtimin e pjesëmarrësve, si dhe shprehjen dhe paraqitjen e talentëve të rinj, të cilët premtojnë shumë për tregun e muzikës vendore dhe ndërkombëtare.

 

Në kuadër të Akademisë Ndërkombëtare Verore të Muzikës Moderne, u organizuan aktivitete të ndryshme që kishin për qëllim pjesëmarrjen aktive të studentëve, si dhe të interesuarve të tjerë për të përforcuar dhe përfituar njohuri të reja rreth fushës së muzikës.

 

Folës të ndryshëm nga vendi dhe rajoni karakterizuan edicionin e sivjetshëm të Akademisë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Muzikë Moderne, Prodhim Digjital dhe Menaxhim në UBT, të cilët trajtuan tema të caktuara dhe interesante, që ngjallën kureshtjen dhe interesimin e shumë studentëve dhe pjesëmarrësve të tjerë.