Me “Karaoke Day” vazhdon aktivitetin Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit të Muzikës

14/07/2021

Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment në UBT, ka vazhduar aktivitetin edhe në ditën e dytë të saj, përmes ligjëratave nga profesionistë dhe ekspertë të fushës së muzikës.

 

Profesoreshat Aida Gjikolli dhe Leutrina Pireva, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të dijes “Global UBT Fest 2021”, kanë ligjëruar rreth ndikimit që pandemia COVID-19 ka pasur në industrinë muzikore në Kosovë. Ndër të tjera, ato kanë shpjeguar mënyrën se si është zhvilluar aktiviteti i muzikës në kohën e pandemisë, përmes koncerteve që janë mbajtur në formën online.

 

Nga ana tjetër, për rolin e kompozitorëve dhe muzikanteve femra në epoka dhe stile të ndryshme muzikore ka folur profesoresha Kristina Palokaj-Perkola, teksa profesori Luan Durmishi ka ligjëruar për të pranishmit temën: “Zëri për sy, jo sallë për veshë”, temë kjo që zgjoi kureshtjen e studentëve dhe pjesëmarrësve të tjerë.

 

Profesori Liburn Jupolli dhe profesoreshat Besa Llugiqi dhe Adelina Thaçi-Meta, kanë diskutuar me të pranishmit rreth përdorimit të teknologjisë së efekteve analogjike dhe softuerike me instrumentet elektrike, përderisa dita e dytë e Akademisë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment në UBT, ka përfunduar me Karaoke Day, me profesorët Luan Durmishi dhe Dukagjin Muhaxheri.