Mbylli punimet Konferenca Ndërkombëtare për Siguri Kibernetike dhe Privatësi

16/05/2019

Ka mbyllur punimet edicioni i katërt i Konferencës Ndërkombëtare për Siguri Kibernetike dhe Privatësi, organizuar nga komuniteti Cyber Security and Privacy dhe UBT, si dhe është mbështetur nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Në ditën e dytë të konferencës, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi theksoi se Kosova i plotëson kushtet që të jetë rol model në botë në trajtimin sigurisë kibernetike dhe privatësisë, pasi siç tha ai, vendi ka kapacitete dhe i ka të rinjtë inteligjentë që punojnë në këtë drejtim.

 

“Ka hapësirë ende për të bërë, por falë institucioneve dhe akademisë, siguria kibernetike tashmë ka shumë rëndësi për qytetarët, si dhe duhet të jetë gjithnjë e rëndësishme, ngaqë trendi i sulmeve është në rritje. Duhet të krijojmë partneritete me ata që kanë kapacitete, në mënyrë që qytetarët të jetojnë në ambient të sigurt. Kosova i ka të rinjtë që do të punojnë në ketë drejtim dhe duhet të krijohet koncepti për një popullatë të sigurt”, potencoi rektori Hajrizi.

 

Tutje, Hajrizi shtoi se kjo konferencë duhet të shërbejë si forum për ekspertët e fushës, njerëzit nga akademia, politika, shkenca, ku do të mund të takoheshin dhe të diskutojnë lidhur me tema në interes, siç është siguria kibernetike.

 

Ndërkohë, edicioni i sivjetmë i konferencës është pasuruar me ardhjen e top hakerit me famë botërore, Benjamin Kunz Mejri. Ai tha ndër tjerash tha se digjitalizimi po prek të gjitha vendet, prandaj vlerësoi se është e rëndësishme bashkëpunimi në mes të njerëzve kompetent dhe  tha se është e rëndësishme organizimi i konferencave të tilla.

 

“Kosova është në atë pikë ku po lëviz dhe po rritet gjithnjë e më tepër, prandaj është e rëndësishme që të organizohen konferenca të tilla, sepse nëse njerëzit bëhen bashkë atëherë ata do të shpërndajnë eksperiencat e tyre. Jam shumë i lumtur që jam këtu për herë të parë në Kosovë dhe dua të ju them që jam shumë i interesuar që ta ndihmoj këtë vend, për shkak se posaçërisht aspekti i digjitalizimit për ne si hulumtues të sigurisë kibernetike na krijon një sistem të komunitetit”, tha Benjamin Mejri.

 

Duke folur për shqetësimet që kanë qytetarët dhe brengosjen e tyre mbi kontrollin e të dhënave personale, përfaqësuesja e Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave personale në Maqedoni, Bilijana Volceska tha se është në rritje për qindja e njerëzve që po kërkojnë ndihmë profesionale, kjo për shkak të krimeve me profile të rreme në rrjetet sociale.

 

“Në autoritetet e mbrojtjes së të dhënave, afër 60 për qind e ankesave që pranojnë kanë të bëjnë për mediat sociale dhe rrjete të ndryshme ku njerëzit kërkojnë ndihmë nga ne për shkak të krimeve të profileve të rreme apo lajmeve të tjera, për shkak se dikush ka postuar fotografi apo video të tyre me informacion të ndjeshëm për ta. Ky është një numër në rritje, por ne ju ndihmojmë qytetarëve që ti fshijnë profilet e rreme. Mirëpo, gjetja e personave fajtor merë shumë kohë, por efekti i tyre tek individët është shumë i madh.

Drejtori i Departamentit Ligjor në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Valon Kryeziu, tregoi se Kosova po punon vazhdimisht në zbatimin e rregullores evropiane për privatësinë e të dhënave.

“GDPR ka hyrë në fuqi vitin e kaluar dhe ka qenë një ndër kriteret për rrugëtimin e Kosovës për integrim evropian, në këtë drejtim është formuar një grup ndërinstitucional për harmonizimin dhe nxjerrjen e ligjit konfrom rregullativave që ka paraparë rregullorja e re e Bashkimit Evropian. Është punuar në atë pjesë dhe kanë hyrë edhe aspekte tjera si mbrojtja e të dhënave personale, etj.”, tha ai.

Përfaqësuesi i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Kosovë, Shprend Lutfiu, tha se duhet të veprohet më shumë në aspektin e sigurisë kibernetike. Sipas tij, njerëzit po ndihmohen në vetëdijesim e tyre, mirëpo duhet të punohet edhe në çështje teknike të sigurisë dhe privatësisë.

“Kemi qasje në ofrues të shërbimeve të inteligjencës lidhur me kërcënimet, me disa edhe memorandum mirëkuptimi, por unë inkurajoj komunitetin e IT-së të punojnë më shume në këtë drejtim”, tha ai.

Punimet me të gjeturat e tyre në aspektin e sigurisë kibernetike i kanë prezantuar Jean Pierlax, Mohammad Khreesha, Yassine Aboukir, Benjamin Kunz dhe Meridian Miftari.

Edicioni i katërt i Konferencës Ndërkombëtare për Siguri Kibernetike dhe Privatësi, ishte ngjarje që mirëpriti ekspertë dhe folës të shumtë qeveritarë dhe individual, të cilët diskutuan për sfidat dhe ofrimin e zgjidhjeve në fushën e sigurisë kibernetike. Pjesë e kësaj konference ishin qindra  pjesëmarrës, ku përgjatë dy ditëve dëgjuan diskutime për Rregulloren e re të BE-së për Sigurinë Kibernetike, GDPR, Shkeljet e Privatësisë, Privatësinë dhe Mediat Sociale, Hakimi etik, etj.