Mbyllet ANV-ja e Turizmit me thirrjen për të bërë më shumë për promovimin e tij në Kosovë

23/07/2018

Turizmi i Qëndrueshëm ka mbyllur aktivitetin në kuadër Akademisë Ndërkombëtare Verore, përgjatë së cilës u mbajtën ligjërata dhe u organizuan disa vizita, me qëllim të njohjes së vende dhe pikave turistike në Kosovë, të cilat shërbejnë si atraksion edhe për vizitorët e huaj.

Ciklin e ligjëratave në kuadër të kësaj ANV-ja e përmbylli kryetari i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, Baki Hoti.

Ai trajtoi disa specifika dhe probleme me të cilat karakterizohet sektori i turizmit në Kosovë, duke i numëruar sfidat që vijnë si pasojë e mungesës së rregullores ligjore të institucioneve vendore, niveli i bashkëpunimit të shoqatave vendore e ndërkombëtare, mungesa e departamentit shtetëror për turizëm etj.

Një problem tjetër që u potencua nga Hoti është edhe mungesa e promovimit të turizmit vendor në nivel kombëtar përmes festivaleve e panaireve të ndryshme.

ANV-ja e Turizmit zgjati pesë ditë dhe tërhoqi dhjetëra të rinj të interesuar për ta rregulluar gjendjen aktuale të turizmit në Kosovë.