Mbyllet Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit të Farmacisë – diskutohet rreth punësimit të diplomuarve në Fakultetin e Farmacisë

23/07/2021

Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit të Farmacisë ka përmbyllur aktivitetin e saj të sivjetmë, në kuadër të “Global UBT Fest 2021”, me ligjërata dhe workshope që morrën vëmendjen e studentëve dhe pjesëmarrësve të tjerë.

 

Fillimisht, profesori i njohur ndërkombëtar, Luciano Saso, ka ligjëruar për pjesëmarrësit dhe studentët rreth punësimit të diplomuarve në Fakultetin e Farmacisë, rolin që luajnë farmacistët në shoqëri, si dhe për mënyrën e zhvillimit të profesionit të farmacistit.

 

Tutje, profesori Bujar Qazimi ka ligjëruar rreth diuretikëve bimorë, temë kjo shumë e rëndësishme për studentët në kuadër të kësaj akademie verore, teksa në fund është mbajtur një workshop me temën: “Përdorimi i Excel-it në analizën e barnave”, nga profesoresha Eda Mehmeti dhe Egzontina Shabani.

 

Kjo akademi mblodhi shumë profesionistë dhe ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, të cilët kontribuan jashtëzakonisht shumë në zhvillimin e dijeve dhe njohurive në shkencat farmaceutike, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të dijes “Global UBT Fest 2021”.