Mbyll punimet Akademia Ndërkombëtare Verore e Psikologjisë dhe e Qendrës Këshilluese për studentë

25/07/2022

Ka përmbyllur suksesshëm edicionin e sivjetshëm Akademia Ndërkombëtare Verore e organizuar nga Qendra Këshilluese për Studentë dhe Fakulteti Psikologji në UBT, në kuadër të “Global UBT Fest 2022”, ku u zhvilluan aktivitete të ndryshme rreth temës kryesore: “Inteligjenca Emocionale”.

Në kuadër të aktiviteteve të ndryshme në këtë akademi, udhëheqësja e Qendrës Këshilluese për Studentë, Vjollca Pllana Shahini, realizoi një hyrje rreth konceptit të Inteligjencës Emocionale, ndërsa profesoresha e Psikologjisë në UBT, Egla Kraja Bardhi, zhvilloi një ligjëratë interaktive rreth bazës gjenetike e Inteligjencës Emocionale.

Në këtë akademi u trajtuan edhe pesë shtyllat kryesore të Inteligjencës Emocionale si: vetë-njohja, vetë-rregullimi, vetë-motivimi, shkathtësitë sociale dhe empatia, të ligjëruara nga profesoreshat: Violeta Zefi dhe Denis Celcima, me ç’rast morën pjesë edhe pjesëmarrësit e Akademisë Ndërkombëtare Verore të Karrierës.

Profesoresha e psikologjisë Fatbardha Qehaja Osmani, u solli pjesëmarrësve njohuri rreth faktorëve rrezikues dhe mbrojtës të Inteligjencës Emocionale, teksa u realizua edhe një vizitë në parkun e Taukbahqes në Prishtinë, ku psikologia Vjollca Pllana Shahini, demonstroi tek pjesëmarrësit rolin pozitiv që luan natyra në higjienën e shëndetit mendor dhe Inteligjencën Emocionale.

Përmes një sesioni të drejtpërdrejtë me pjesëmarrësit në një formë terapie grupore dhe punëtorie, pjesëmarrësit praktikuan ushtrime të frymëmarrjes shëtitje terapeutike, stimulim të shqisave, reflektim dhe relaksim në natyrë, ushtrime këto me qëllim të zhvillimit dhe ngritjes së Inteligjencës Emocionale me pesë elementet e saj: vetë-njohjes, vetë-rregullimit, motivimit, ndjeshmërisë dhe aftësive sociale.

Përgjatë kësaj akademie, u prezantua projekti WLF – Work Life Flow, ku UBT është partnere e këtij projekti, projekt ky i cili synon që të nxisë një rrjedhë pozitive të punës në jetë, në trashëgiminë pas virusit corona. Ky projekt i referohet ekuilibrit dinamik midis roleve profesionale dhe sociale të një individi.