Mbi 50 për qind e stafit të kompanisë “Procurri” janë studentë të UBT së

20/06/2023

Treguesi më i mirë i suksesit të UBT-së janë studentët e diplomuar, të cilët çdo ditë e më tepër po e gjejnë veten në tregun e punës, madje edhe krijojnë punë për të tjerët. Ideal Smajli dhe Uran Merovci janë dy ish-student të Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, të cilët janë përfaqësues të kompanisë së njohur ndërkombëtare e cila është lidere në shumicën e kontinenteve “Procurri” e cila operon edhe në Kosovë.

Faktin se studentët e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë janë shumë të përgatitur për tregun e punës, e vërtetojnë edhe në këtë kompani, stafi i së cilës është i përbërë kryesisht nga studentë dhe ish-studentë të UBT-së.

Një nga përfaqësuesit e kompanisë “Procurri” për Kosovë, Ideal Smajli ka theksuar se praktika e realizuar përgjatë studimeve ndikon që studentët e UBT-së të dalin të përgatitur për tregun e punës, dhe për më tepër, të shndërrohen dhe në njerëzit më të kërkuar në tregun vendor dhe ndërkombëtar të punës.

“Pas përfundimit të studimeve u punësova në një kompani nga Anglia, duke parë përkushtimin tim kompania vendosi që të marrë punëtorë të tjerë për tregun e  Kosovës dhe natyrisht zgjidhja ime e parë ishte studentët e UBT-së, të cilët ishin më të përgatitur për tregun e IT-së. Aktualisht mbi 50% e stafit janë studentë të UBT-së”, theksoi Smajli.

Ndërsa përfaqësuesi tjetër i kompanisë “Procurri” për Kosovë, Uran Merovci tha se në tregun kosovar dhe në tregun global momentalisht kërkesa më e madhe është për profesionistë në fushën e IT-së dhe se UBT është institucioni i vetëm i arsimit të lartë në Kosovë ku për objektiv kryesor ka përgatitjen e të rinjve për tregun e punës.

“Për mua si një ish-student i UBT-së ku kam diplomuar edhe studiuar para ca viteve, ndihmesa më e madhe në tregun e IT-së ose si një ish-profesionist në tregun e IT-së ka qenë puna praktike që e kemi bërë gjatë studimeve ku qysh në vitin e parë deri në përfundim të studimeve kemi pasur punë dhe ushtrime të ndryshme laboratorike, jo vetëm nga ana teorike, por edhe praktike”, tregoi Merovci.

Dekani i Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Besnik Qehaja tha se UBT në vazhdimësi përcjell arritjet e ish-studentëve të saj. Ndërsa, bashkërendimi i teorisë dhe praktikës është indikatori më i vlefshëm që dëshmon suksesin e studentëve të UBT-së në tregun e punës, si dhe nivelin e lartë të përkushtimit të institucionit ndaj përgatitjes profesionale të studentëve të vet.

“Studentët tanë kur i shohim në këto kompani natyrisht që është një sukses i dyanshëm, si i tyre ashtu edhe i joni, por është edhe një ndjenjë e veçantë sepse po kontribuojnë në shoqëri. Edhe këta gjithashtu po vazhdojnë kontributin e tyre duke i marrë studentët tanë në punë dhe duke besuar ende se ne si institucion vazhdojmë t’i përcjellim edhe pas studimeve dhe normalisht mbështetja jonë s’do të mungojë në asnjë formë”, u shpreh Qehaja.

Blinda Behluli është studente e vitit të dytë e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT, e cila punon në këtë kompani. Ajo thotë se falë UBT-së, është aftësuar në profesionin që ka zgjedhur.

UBT ka qendrën më të madhe të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në Ballkanin Perëndimor. Programi është më i kërkuari nga studentë dhe staf vendorë dhe ndërkombëtarë dhe burim i inovacioneve kombëtare në këtë fushë.