Mbi 300 pjesëmarrës dhe 220 prezantime në Konferencën Ndërkombëtare të UBT-së për Biznes, Teknologji dhe Inovacion

06/11/2015

Mbi 300 pjesëmarrës nga 15 shtete po marrin pjesë në Konferencën e Katërt Ndërkombëtare për Biznes, Teknologji dhe Inovacion, e cila organizohet nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë i UBT-së, në bashkëpunim me partnerët, Universitetin e Tiranës dhe Universitetin e Vlorës, si dhe një varg institucionesh të tjera, partnerë të tjerë profesionalë, si EUROSIM, Asociacioni i Kosovës per Kontroll, Automatizëm dhe Sistem Inxhenerik (KA-CASE), Asociacioni Kosovar për Modelim dhe Simulim (KA-SIM), Quality Kosova dhe Asociacioni Kosovar për Menaxhim.

 

Gjatë dy ditëve të konferencës do të prezantohen 220 punimet, në dhjetë konferenca, në katër sesione paralele, në të cilat do të paraqiten hulumtime shkencore dhe do të zhvillohen debate në një varg temash: Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri e Komunikimit, Efiçienca e Energjisë, Menaxhim, Biznes dhe Ekonomi, Mekatronikë, Inxhinieri e Sistemit dhe Robotikë, Sisteme të Informacionit dhe Siguri, Arkitekturë – Planifikim hapësinor dhe inxhinieri civile, Inxhinieri, infrastrukturë dhe mjedis, Drejtësi, Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Media dhe Komunikim, si dhe një varg temash të tjera.

Në ceremoninë e hapjes së Konferencës morën pjesë përfaqësues nga shumë universitete nga Shqipëria, Universiteti i Tiranës, Universiteti i Vlorës, Universiteti i Shkodrës e institucione të tjera akademike, pastaj përfaqësues nga universitetet partnere, Universiteti i Vjenës për Teknologji, Universiteti Corvinius i Budapestit dhe përfaqësues të universiteteve të tjera nga ky shtet. Disa prej tyre i janë drejtuar pjesëmarrësve të konferencës, duke çmuar rëndësisnë e saj, si një ndër konferencat më të mëdha në rajon në fushën e Biznesit, Teknologjisë dhe Inovacionit, dhe kontributin që japin në këto fusha autorët që do të prezantohen gjatë dy ditëve të punimeve të saj.

 

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, si nikoqir i konferencës, theksoi rëndësinë shumë të madhe të kësaj konference, e cila organizohet për të katërtin vit me radhë. Ai tha se këto konferenca kanë njohur rritje të pjesëmarrësve, të prezantimeve dhe zgjerim të rrjetit të bashkëpunëtorëve ndërkombëtarë.
Përveç Universitetit të Tiranes, atij të Vlorës dhe të Shkodrës, në Shqipëri, rektori Hajrizi theksoi bashkëpunimin e ngushtë me Universitetin e Vjenës dhe universitetet e tjera të shumëta partnere.
Në ditën e parë të konferencës u paraqitën një varg prezantimesh në sesionet e Biznesit dhe Ekonomisë, Shkencave Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Energjisë Efiçiente, Arkitekturës dhe Ndërtimarisë.

 

Konferenca e Katërt Ndërkombëtare për Biznes, Teknologji dhe Inovacion ka zgjuar interesim shumë të madh të profesionistëve të fushave të shtruara për diskutim, ndërkohë që e gjithë konferenca po përcillet me debate mes prezantuesve, pjesëmarrësve dhe studentëve të UBT-së dhe të universiteteve të tjera, pjesëmarrës në konferencë.