Mbahet koncerti për nder të Ditës së Evropës – UBT Band sjell hitet e artistëve më të njohur botërorë

12/05/2021

Në ambientet e Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, është mbajtur koncert për nder të Ditës së Evropës, organizuar nga Fakulteti Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment në UBT dhe UBT Band.

 

Në këtë koncert pjesëmarrës ishte edhe rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, i cili u shpreh i lumtur me organizimin e këtij koncerti dhe me bendin e UBT-së, që tashmë është bërë pjesë e pandashme e organizimeve të institucionit.

 

Ai vlerësoi faktin për çka është organizuar ky event, duke thënë se ditët e tilla janë të rëndësishme, dhe se si kjo e Ditës së Evropës, na bënë që të jemi pjesë e saj dhe të tregojmë vlerat që posedojmë.

 

Ndërkaq, prodekani i Fakultetit Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment në UBT, Korab Shaqiri, tha se nderimi i një dite si kjo është i rëndësishëm dhe se Kosova është pjesë e pandashme e Evropës, duke vlerësuar lartë punën dhe angazhimin e studentëve të këtij fakulteti në organizimin e një eventi si ky.

 

Në këtë koncert performuan studentë të Fakultetit Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment si dhe UBT Band, ku të pranishmit patën rastin që të dëgjojnë hite të ndryshme të artistëve botërorë.

 

Me këtë koncert, studentët e Fakultetit Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment në UBT bashkë me UBT Band, dëshmuan edhe njëherë se kanë cilësi dhe janë në nivele të larta në këtë fushë, duke qenë artistë që premtojnë shumë në të ardhmen për përfaqësimin sa më të denjë të Kosovës në evenimentet dhe festivalet më të njohura të botës.