Maturantët e Prizrenit dhe të Ferizajt ndjekin “UBT Summer of Code”

29/07/2016

Në Kolegjin UBT ka filluar punimet  aktiviteti më i madh i teknologjisë informative për maturantë, “UBT Summer of Code”, projekt ky i organizuar nga Kolegji UBT, respektivisht nga stafi i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe të Inxhinierisë.

Në ditën e parë, në Kampusin e Kolegjit UBT në Prizren dhe atë në Ferizaj, pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të njoftohen me ligjëruesit, detajet rreth trajnimit, rezultatet e arritura nga ky trajnim, si dhe projektet të cilat do të realizohen, për aq kohë sa edhe do të zgjasë ai.


Organizatorët e trajnimit thanë se kjo është bërë me qëllim që maturantët e shkollave të mesme  të fitojnë njohuri  në fushën e teknologjisë informative dhe të komunikimit, përmes mësimeve në fushën e programimit, rrjeteve kompjuterike, sigurisë kibernetike, kripto-sistemeve e dokumentimit, me qëllim që ata të jenë të orientuar në fushën e teknologjisë informative, qysh para fillimit të studimeve profesionale.

 

“UBT Summer of Code”, e organizuar për maturantët e vendit tonë, do të zgjasë deri më 15 shtator, kurse ligjëratat do të mbahen në qendrat e Kolegjit UBT-së në Prishtinë, Ferizaj dhe Prizren. Kurse, modeli për mbajtjen e një trajnimi të tillë është marrë nga kompania Google, e cila për çdo vit mbledh studentët nga e gjithë bota dhe u ofron atyre njohuri dhe aftësi të reja në fushën e teknologjisë informative.