Laboratorët e UBT-së u ofrojnë studentëve praktikë me pajisjet më të sofistikuara të kohës

24/12/2018

Me themelimin e UBT-së, Kosovës iu shtua një institucion që formon kompetenca profesionale në të gjitha fushat, duke u bazuar në punë praktike të ofruar brenda institucionit.

Kjo formë pune e studimi ka nxjerr të diplomuar të përgatitur plotësisht teorikisht e praktikisht për tregun e punës.

 

Nga efekti që ka dhënë, UBT ndër vite ka pasuruar laboratorët e vet me pajisjet dhe mjetet më të sofistikuara të kohës, në mënyrë që studentët të përcjellin dhe të punojnë me trendët e fundit botërorë, varësisht prej profesionit të tyre. Kësisoj, puna praktike kryhet pothuajse tërësisht brenda UBT-së, pa hapësirë dhe kohë të limituar brenda objekteve, njëkohësisht duke i bërë studentët plotësisht të gatshëm dhe të pranueshëm për tregun e punës.

 

Të gjitha fushat e studimit në UBT kanë laboratorët e vet të veçantë, të cilat u mundësojnë studentëve të realizojnë pjesën praktike të ligjëratave, projekteve të ndryshme, si dhe fillimin, përkatësisht realizimin e startup-eve të shumta, shumë prej të cilave tashmë janë jetësuar dhe janë në shfrytëzim për tregun vendor dhe ndërkombëtar të klientëve.

 

Duke qenë gjithmonë në një hap me teknologjinë që përdoret në botë, UBT është duke i pajisur edhe laboratorët me të njëjtat pajisje të cilat shfrytëzohen nga studentët e vendeve më të zhvilluara të botës, e pikërisht kjo bën që studentët e UBT-së të jenë shumë të kërkuar dhe lehtësisht të përshtatshëm edhe për tregun ndërkombëtar.