Kuvendi i Ferizajt miratoi strategjinë e zhvillimit 2014-2017, të hartuar nga UBT

02/12/2014

Kuvendi Komunal i Ferizajt, në një mbledhje të mbajtur më 27 nëntor, miratoi Draftstrategjinë e zhvillimit afatmesëm të Komunës së Ferizajt për vitet 2014-2017, e cila u hartua nga ekspertët e UBT-së.

 

I pranishëm në seancën e Kuvendit Komunal, rektori i UBT-së, prof.dr.Edmond Hajrizi

tha se kjo strategji është komplete dhe e hartuar në mënyrë profesionale.

 

Ai shtoi se për hartimin e kësaj strategjie janë shfrytëzuar përvojat nga shtete të tjera, si dhe janë konsultuar edhe ekspert të huaj. 

 

“Strategjia analizon gjendjen, paraqet pengesat dhe dobësitë, ndërsa edhe jep kahet zhvillimore të komunës. Në këtë strategji jemi munduar të strukturojmë gjashtë objektiva strategjikë që ngërthejnë në vete zhvillimin ekonomik, infrastrukturën dhe ambientin, turizmin, kulturën dhe sportin, administratën publike, shëndetësinë dhe mirëqenien sociale si dhe arsimin dhe edukimin”, tha dr. Hajrizi.

 

Dr. Hajrizi tha se, pas hartimit dhe miratimit të dokumentit, i mbetet ekzekutivit të komunës që gjatë këtyre tri viteve ta zbatojë këtë strategji.

 

Ai theksoi nevojën e fillimit të menjëhershëm të jetësimit të projekteve që parasheh strategjia.

 

UBT, me ekipet e tij të ekspertëve, ka hartuar strategjitë e zhvillimit edhe për disa komuna të tjera të Kosovës.