Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës mbajti një ligjëratë tematike para studentëve të UBT-së

22/01/2015

Prishtinë, 22 janar. – Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu mbajti sot një ligjëratë tematike para studentëve të UBT në temën “Rëndësia e zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe proceset integruese”.

 

Z.Gërxhaliu në ligjëratën e tij tërhoqi vëmendjen se zhvillimi i mirëfilltë ekonomik, në një ekonomi të shëndoshë, në një shtet ku sundon rendi dhe ligji, është rruga më e mirë dhe më e sigurt për proceset integruese. Ai theksoi faktin se në të gjitha periudhat kohore, por edhe sot, është zhvillimi, është bashkëpunimi ekonomik ai që i heq barrierat midis shteteve dhe siguron integrim e prosperim të shteteve dhe të qytetarëve.

 

Duke i bërë një vështrim gjendjes në të cilën ndodhet sot Kosova, z.Gërxhaliu theksoi se ne po e paguajmë me çmim shumë të lartë periudhën e tranzicionit. Ai gjithashtu tërhoqi vëmendjen në mungesën e një planifikim të mirëfilltë, i cili do të hapte rrugët e një zhvillimi me plan dhe strategji afatgjatë. Ai e theksoi si një hap shumë të rëndësishëm drejt integrimit edhe internacionalizimin e ndërmarrrësisë, një proces të vështirë të përmbushjes së një varg kriteresh për funksionimin dhe zhvillimin ekonomik të një shteti.

 

Z.Gërxhaliu gjithashtu theksoi se e ardhmja e zhvillimit të shtetit tonë duhet të matet me shkallën e zhvillimit të sektorit privat, që është edhe shtylla e zhvillimit të një shteti. Ndërlidhur me këtë, ai tërhoqi vëmendjen se një shtet që investon dhe kujdeset vetëm për administratën publike, ai ndjell vetëm varfëri e jo me zhvillim.

Mes të tjerash, gjatë debatit me studentët e UBT-së, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z.Safet Gërxhaliu theksoi se vetëm zhvillimi ekonomik është ai që do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në një varg procesesh që po ndodhin aktualisht në vendin tonë, përfshirë ndaljen e emigrimit ilegal të qytetarëve, një proces që ka marrë shumë hov kohëve të fundit, përshpejtimin e proceseve integruese, por edhe rritjen e imazhit të Republikës së Kosovës.