Kosova bëhet nikoqire e Kongresit të 67-të të EOQ, ngjarja ndërkombëtare që sjell në UBT profesionistë nga e gjithë bota
09/10/2026Më 21 deri 23 tetor, UBT do të jetë nikoqire e Kongresit të 67-të të European Organization for Quality (EOQ), një prej platformave më të rëndësishme ndërkombëtare për menaxhimin e cilësisë, ekselencën profesionale, inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Kosova do të jetë në qendër të diskutimeve ndërkombëtare për të ardhmen e cilësisë, inovacionit dhe transformimit teknologjik, me organizimin në UBT të EOQ Congress 2026, i cili do të bëjë bashkë profesionistë, akademikë, ekspertë dhe përfaqësues institucionalë nga vende të ndryshme të botës.
Kongresi, me temë “Shaping Quality for a Smart, Sustainable and Resilient Future – Quality, Growth, Human Values and Trust in the Age of AI”, do të trajtojë disa prej sfidave dhe zhvillimeve më të rëndësishme të kohës sonë: inteligjencën artificiale dhe transformimin digjital, qëndrueshmërinë, reziliencën, sistemet e cilësisë, akreditimin, arsimin, shëndetësinë, financat, industrinë, qytetet e mençura dhe zhvillimin e institucioneve.
EOQ, e themeluar para afro 70 vitesh, përfaqëson një rrjet ndërkombëtar që lidh më shumë se 70,000 profesionistë dhe 110,000 ekspertë të certifikuar në mbi 40 vende, ndërsa Kongresi vjetor i saj shërben si një platformë ndërkombëtare për shkëmbimin e praktikave më të mira, kërkimeve dhe trendeve të reja në fushën e cilësisë.
Një dimension të veçantë Kongresit i jep edhe fakti se ai zhvillohet në vitin kur UBT shënon 25-vjetorin e themelimit.
Në kuadër të Kongresit, më 22 tetor do të organizohet edhe EOQ Congress Gala & UBT 25th Anniversary, ku do të shënohen 70 vjet të EOQ-së, 20 vjet të Quality Kosova dhe 25 vjet të UBT-së, përmes një programi që ndërthur njohjen e kontributit profesional, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe kulturën e Kosovës.