Konferencë e suksesshme Ndërkombëtare Shkencore për sistemet e informacionit dhe teknologjitë inovative, në Tiranë

20/06/2016

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, e ka vlerësuar të suksesshëm zhvillimin dhe përfundimin në Tiranë të punimeve të Konferencës së 7-të Ndërkombëtare Shkencore, organizuar nga Universiteti i Tiranës – Departamenti i Statistikave dhe Informatikës së Aplikuar, në partneritet me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe me institucionin e lartë arsimor në Kosovë – UBT. Temë bosht e Konferencës ishte: “Information Systems and Technology Innovations: the New Paradigm for a Smarter Economy”.


Rektori Hajrizi ishte edhe anëtar i Këshillit Shkencor, ndërsa në Konferencë është paraqitur me temën: “KOSTT’s Entrance In Telecommunication Market”. Konferenca i ka hapur punimet të premten pasdite, ndërsa në të kanë marrë pjesë mbi 200 autorë nga shtetet rajonale, evropiane e më gjerë, si: Amerika, Gjermania, Italia, Austria, Norvegjia, Rumani, Kroacia, Suedi, Franca, Turqia, Luksemburgu, Serbia, Maqedonia etj.

 

Rektori i UBT-së, pas përmbylljes së Konferencës, ka folur në superlativ për rrjedhën dhe organizimin e gjithmbarshëm të saj. Kryetare e KO-së për Konferencën ishte prof dr. Kozeta Sevrani, njëherësh shefe e Departamentit të Statistikave dhe Informatikës së Aplikuar, në Universitetin e Tiranës.