Komisioni Evropian i ofron UBT-së bashkëpunim në fushën e gazetarisë hulumtuese

15/09/2016

Eksperti i Komisionit Evropian (KE) në fushën e medias, Jorgen Ringgaard, në një vizitë që i ka bërë UBT-së, të enjten, ka shfaqur interesimin e KE-së për bashkëpunim me UBT-në në fushën e gazetarisë hulumtuese. Eksperti i KE-së është pritur nga koordinatori i FMK-së, dr. Ferid Selimi dhe ligjëruesit në këtë fakultet, Musa Sabedini e Ganimet Klaiqi.


Ringgaard, pasi është informuar për mundësitë që ofron UBT-ja për studentët e niveleve: BA e MA, në fushën e gazetarisë, për rritjen e vazhdueshme të numrit të tyre që regjistrohen, për programet mësimore etj…, ka shfaqur interesim që në të ardhmen e afërt të zhvillohen projekte të përbashkëta, duke e vënë theksin tek studentët e nivelit Master. Kjo për faktin se, sipas tij, po synohet hartimi i një programi të përbashkët rajonal për trajnimin e gazetarëve për gazetari hulumtuese, gjë të cilën e ka bërë edhe në shtete dhe rajone të tjera, si për shembull në Afrikë.


Ringgaard tha se ideja konkrete e KE-së është që studentët e masterit në UBT të kenë mundësi dhe hapësirë për të marrë pjesë në trajnime të specializuara në fusha të caktuara.


“Studentet, të cilët do të bëhen pjesë e Programit të KE-së për gazetari hulumtuese, duhet të jenë të aftë të prodhojnë edhe tekste të kësaj natyre, që do të botoheshin në mediat e vendeve përkatëse”, ka thënë eksperti i KE-së.


Ai, po ashtu, ka shfaqur interesimin për hartimin e një kurrikuli të përbashkët fakultativ për zhvillimin e gazetarisë hulumtuese në shtetet e rajonit të Evropës Juglindore.


Eksperti i KE-së, Ringgaard, për 15 vjet radhazi ka udhëhequr shkollën më të madhe evropiane për gazetari, në Danimarkë, e cila vetëm në këtë drejtim ka 1000 studentë.