Kolegji UBT dhe KUR “Prishtina” nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi

26/07/2016

Rektori i Kolegjit UBT, prof.dr. Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit të Mekatronikës, prof. dr Muzafer Shala dhe dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, prof.dr. Muhamet Ahmeti, vizituan Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, me ç’rast u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit mes  dy palëve.

Bashkëpunimi do të përfshijë dhe do të siguroj intershipe për studentët e Kolegjit UBT, konferenca, si dhe punime e hulumtime  të përbashkëta.


Përfaqësuesit e Kolegjit UBT u pritën nga kryeshefi ekzekutiv i KUR “Prishtina”, Ilir Avdullahu  me bashkëpunëtorë, të cilët i informuan në mënyrë të detajuar në lidhje me funksionimin, problemet e vështirësitë e kësaj kompanie, pastaj për aplikimin e teknologjisë së fundit në monitorimin e rezervave të ujit, si dhe për mënyrat që po i shfrytëzojnë ata për identifikim e humbjeve të ujit. Tutje, ata diskutuan edhe lidhur me shtrirjen dhe ndërrimin e rrjetit të vjetër të ujësjellësit, fazën e krijimit të laboratorëve të rinj, e po ashtu edhe për fazën, në të cilën aktualisht gjendet fabrika e re për përpunimin e ujit të pijshëm, në Shkabaj.

 

Në anën tjetër, rektori Hajrizi i falënderoi përfaqësuesit e kësaj kompanie për pritjen dhe bashkëpunimin e mirë mes tyre, si dhe i njoftoi ata me punën që po zhvillohet brenda Kolegjit UBT. Ai tha ndër të tjera se Kolegji UBT ka kapacitete të mjaftueshme që t’i ndihmojë kësaj kompanie dhe të tjerave të këtij lloji, si nga aspekti inxhinierik, ashtu edhe nga ai afarist e juridik, për sa i përket kontrollit të cilësisë e standardizimit.