Kampionja me Kampionët: Distria Krasniqi shpallet kampione e Evropës në xhudo

16/04/2026

Xhudistja nga Kosova, Distria Krasniqi, ka fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian që po mbahet në Tbilisi të Gjeorgji, ku po marrin pjesë rreth 400 garues nga 46 shtete.

Krahas suksesit të saj në sport, Krasniqi është edhe studente e Shkencave të Sportit dhe Lëvizjes në UBT, duke dëshmuar se përkushtimi në arsim dhe në sport mund të ecin paralelisht drejt suksesit të madh ndërkombëtar.

Në kategorinë deri në 52 kilogramë, Krasniqi e nisi garën me paraqitje bindëse, duke kaluar me sukses raundin e dytë dhe më pas çerekfinalen. Në përballjen e parë, ajo triumfoi ndaj Tereza Bodnarova, ndërsa në çerekfinale mposhti Aleksandra Kaleta, duke siguruar kështu gjysmëfinalen.

Në gjysmëfinale, kampionia kosovare tregoi edhe një herë formë të lartë, duke e mposhtur Odette Giuffrida. Në finalen e madhe, Krasniqi u përball me Amandine Buchard, të cilën e mposhti për të rrëmbyer medaljen e artë dhe për t’u shpallur kampione e Evropës.

Ky sukses i jashtëzakonshëm i Distria Krasniqi është një frymëzim i madh për të rinjtë dhe studentët, duke dëshmuar se UBT vazhdon të nxjerrë talente që përfaqësojnë denjësisht Kosovën në skenën ndërkombëtare.

Ndërkohë, xhudistet tjera nga Kosova, Fatjona Kasapi dhe Erza Muminoviq, u eliminuan më herët gjatë garave.