Kamer Borovci drejtues i kompanisë së suksesshme “Brickos SHPK”

08/04/2015

Kamer Borovci ka diplomuar në ekonomi dhe biznes në UBT, ndërsa tash me familjen e tij janë pronarë të fabrikës “Brickos SHPK”, që merret me prodhimin e elementeve nga argjila, e cila gjendet në komunën e Kamenicës, skaj rrugës magjistrale Gjilan-Bujanovc.

 

Kompania “Brickos” është vazhdimësi e kompanisë “V.Borovci”, e themeluar në vitin 1990. Në kuadër të saj, veprimtarinë e zhvillon fabrika për prodhimin e elementeve nga argjila, e cila është komercializuar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit në maj të vitit 2002 dhe pas 6 muajsh investimesh fabrika ka filluar prodhimin e blloqeve të ndryshme për treg. Në vitin 2008 kompania “V.Borovci” e ka privatizuar fabrikën me spin-of special, duke i përmbushur të gjitha investimet e parapara dhe merret si storie e suksesshme e komercializimit dhe më vonë privatizimit. Në vitin 2008, në kuadër të fabrikës ka filluar ndërtimi i repartit të ri, i cili ka përfunduar në vitin 2010 dhe sot është duke prodhuar blloqe për tregun e Kosovës. Teknologjia që e disponon sot fabrika e blloqeve është në hap me kohën.

 

 

Z.Borovci është një nga studentët e shumtë të UBT-së, që janë treguar mjaft të suksesshëm në biznesin e tyre. Dijeve të mëhershme ai ua ka shtuar edhe përvojën e studimeve në UBT, të cilat i ka nisur në vitin akademik 2006/2007, ndërsa i ka përfunduar në vitin 2010.

 

“Unë kam përfituar shumë nga studimet në UBT, sidomos në metodat bashkëkohore të menaxhimit në një ekonomi globale. Studimi në UBT ka qenë një përvojë shumë e mirë dhe një ndryshim i madh nga studimet që i kisha ndjekur më herët në UP. Studimet në UBT, pos të tjerave, më kanë ndihmuar shumë në menaxhimin e burimeve njerëzore, si aseti më i çmueshëm i një kompanie“, thotë z.Borovci.

Kompania që drejton z.Borovci ka edhe bashkëpunim ndërkombëtar, të cilin ai, në një ekonomi globale, e quan të pashmangshëm. “Shumë projekte në kuadër të kompanisë tonë janë ekzekutuar nga kompanitë ndërkombëtare, disa projekte janë filluar dhe mbaruar bashkërisht. Bashkëpunimi më i madh është në kuadër të teknologjisë, në mënyrë që të jemi në hap me zhvillimet nga lëmi i kësaj industrie në regjion dhe më gjerë”, thotë z.Borovci.

 

 

Por, kompania që drejton ai, përballet edhe me shumë probleme e sfida, sikur të shumë prej bizneseve në kohën tonë.

Sipas tij, sot sfidë në industrinë e prodhimit në Kosovë janë burimet njerëzore, të cilave u mungon kompetenca dhe trajnimet. Sfidë në vete janë edhe ligjet, të cilat janë kopjuar nga vendet evropiane dhe nuk i përshtaten realitetit në Kosovë. Politikat qeveritare në Kosovë nuk janë në favor të prodhuesve vendorë, me këto politika stimulohen prodhuesit jashtë Kosovës, kurse diskriminohen prodhuesit vendorë. 

 

 

Ai ka një vërejtje të madhe. Thotë se të udhëheqësh një biznes prodhues të suksesshëm në Kosovë është shumë e vështirë. “Shoqëria në përgjithësi, me pak përjashtime, nuk e përkrah prodhimin vendor. Prodhuesit në Kosovë përballen me vështirësi dhe probleme të cilat nuk mund t’i zgjidhin vet, si problemi i furnizimit me energji elektrike, mungesa e burimeve njerëzore të trajnuara, diskriminimi i prodhuesve vendorë në krahasim me prodhuesit e regjionit”, thekson Borovci.

Por, çka duhet ndryshuar në qëndrimin e institucioneve shtetërore ndaj biznesit vendor. Borovci e ka zgjidhjen: “Së pari të krijohet një ambient për prodhuesit vendorë, të hiqet dogana për lëndët e para dhe makineritë që përdoren në procesin e prodhimit, të kenë përparësi prodhimet vendore në investimet të cilat bëhet nga buxheti i Kosovës, ligjet të jenë në përputhje me realitetin në Kosovë, pagat në sektorin publik nuk guxojnë të jenë shumë më të larta se në sektorin privat, pasi rritja ekonomike vjen nga sektori privat, të krijohen politika ekonomike që tërheqin investime nga jashtë në mënyrë që rritja ekonomike të jetë më e madhe”.

Bisedën e plotë me Kamer Borovcin mund ta lexoni në numrin e ri të gazetës “UBT News”